Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për ngritjen e Këshillit Artistiko-Kulturor të Tiranës. Në bazë të këtij vendimi, ky këshill ka karakter këshillimor dhe vepron pranë bashkisë së Tiranës për shqyrtimin, vlerësimin dhe miratimin e projekteve kulturore dhe sportive, që ato të jenë në përputhje me prioritetet e politikave kulturore të bashkisë Tiranë.
Në përbërjen e Këshillit Artistiko-Kulturor i Tiranës ka personalitete të spikatura nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, sportit dhe të shkencës. Bien në sy mes 9 anëtarëve të këtij këshilli emra si Artisti i Popullit, Robert Ndrenika, aktorja Yllka Mujo, trajneri i sportit të futbollit, Ylli Tomorri apo edhe piktori Helidon Haliti. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në prezantimin e këtij vendimi para Këshillit Bashkiak theksoi se përfaqësuesit e këtij këshilli do t’i bënin nder çdo bashkie në vend.
“Është një listë që ka edhe një përfaqësim e mbulim të shumë fushave të artit. Jam i sigurt që është një këshill që do të japë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e mëtejshëm të jetës kulturore të qytetit”, – tha Veliaj. Pjesë e vendimit të sotëm të Këshillit Bashkiak ishte edhe miratimi i pagesës së çdo anëtari me 4 500 (katër mijë e pesëqind) lekë për çdo mbledhje. /ATA/