Një derë mbyllet. Pastaj një tjetër. Dhe sërish, një tjetër… Përveç shpresës…

Një derë mbyllet. Pastaj  një tjetër. Dhe sërish, një tjetër. Një sërë pritshmërish, të ngjyrosura me optimizëm, thjesht nuk realizohen. Mos u shqetësoni, nuk ju ndodh vetëm juve. I ka ndodhur edhe Profetit Muhamed (s.a.s).

Arabët e konsideruan unanimisht Profetin Muhamed (s.a.s) si shembull të shkëlqyer për shoqërinë; një njeri që nuk gënjente, që ishte i besueshëm, i ndershëm dhe empatik.

Profeti Muhamed (s.a.s) kishte pritshmëri specifike në lidhje me “dy qytetet”, Mekën dhe Taifin. Se ato do ta pranonin thirrjen e tij dhe do të besonin dhe adhuronin Zotin e vetëm. Megjithatë, shumica e paganëve arabë patën një reagim krejt të ndryshëm. Ata e luftuan me mish e me shpirt mesazhin e Profetit (s.a.s). Ata torturuan dhe bojkotuan ata që besuan tek Muhamedi dhe u përpoqën disa herë që ta vrisnin atë.

Gjatë çasteve të vështira, Hatixhja, bashkëshortja e Profetit (s.a.s), i ofronte atij ngushëllim dhe mbështetje emocionale. Sidoqoftë, pas një dekade thirrjeje në monoteizëm, gruaja që e mbuloi dhe e mbështolli pas përvojës së tij të parë me shpalljen, që ishte gjithmonë përkrah tij, u largua nga kjo botë.

Xhaxhai i tij, që i ofroi mbështetje dhe mbrojtje fisnore kundër atyre që donin ta vrisnin, vdiq tre ditë më vonë. Allahu e urdhëroi Profetin (s.a.s) të proklamonte monoteizmin në Mekë. Ai e bëri këtë. Sidoqoftë, Meka po shndërrohej në një qytet gjithmonë e më të rrezikshëm ku Profeti (s.a.s) nuk kishte më asnjë mbështetje.

Pa u dekurajuar, Profeti Muhamed (s.a.s) shkoi në Taif me shpresën që banorët e tij do ta mirëprisnin ftesën në monoteizëm. Nëse kjo do të ndodhte, ai do të mund të zhvendosej në një vend më të sigurt. Por rezultoi krejtësisht e kundërta. Ata nuk e pëlqyen aspak thirrjen e tij. Përkundrazi, nxitën të rinjtë e tyre që ta godisnin me gurë duke e lënë të gjakosur, ndërsa i drejtohej mureve rrethuese të qytetit për të dalë që aty. Një ditë Aishja e pyeti Profeti (s.a.s): “ A ke përjetuar ndonjë ditë më të vështirë dhe të rëndë se ajo e betejës së Uhudit?” Profeti (s.a.s) i përmendi ditën që kaloi në Taif.

I rraskapitur, i lënduar dhe i tronditur, Profeti (s.a.s) pa t’i mbyllej një tjetër derë m’u përpara syve, dhe kështu vendosi të kthehej sërish në Mekë. Gjatë rrugës, ai vendosi të pushonte nën hijen e pemëve të një kopështi privat.

Pronari i kopështit pa gjëndjen e Profetit (s.a.s) dhe udhëroi shërbëtorin e tij, Adasin, që t’i çonte një pjatë me rrush. Profeti (s.a.s) filloi të hante duke thënë Bismilah (Me emrin e Allahut). I habitur, Adasi i tha: “Njerëzit e këtij qyteti nuk e përdorin këtë shprehje!” Profeti (s.a.s) iu përgjigj: “Nga cili qytet je ti Adas? Cila është feja jote?”. Adasi u përgjigj: “Unë jam i krishterë nga qyteti i Nineveh.” Profeti (s.a.s) i tha: “Nga qyteti i njeriut të drejtë, Junusit, birit të Matas.” Adasi i habitur e pyeti, “Nga e njeh Junusin, djalin e Matas? Profeti u përgjigj: “Ai është vëllai im. Ai ishte Profet dhe unë jam Profet.”

Biseda e Profetit Muhamed (s.a.s) me Adasin ishte tejet domethënëse. Allahu i tregoi Muhamedit (s.a.s) se pavarësisht refuzimit që populli i tij i bëri Junusit, qindra vjet më pas, ai ishte duke folur me një njeri që besonte tek Junusi dhe që vinte pikërisht nga qyteti që e dëboi atë.

Refuzimi i banorëve të Mekës dhe Taifit nuk e lëkundi aspak Profetin(s.a.s) nga misioni i tij, nga mbështetja tek Allahu dhe shpresa e pafundme tek premtimi i tij. Për më tepër, ai nuk lejoi sjelljen e ashpër të paganëve arabë, që të ndryshonin karakterin e tij, duke u hakmarrë ndaj tyre. Përkundrazi, ai shpresoi se një ditë ai qytet do të ndryshonte. Dhe kështu ndodhi.

 

“Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” [Surja Talak, 3]

“Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” [Surja Kehf, 110]

Pin It