“Një ditë me kuratorin!” me temë “Monedhat, dëshmi e qytetërimit ilir”

Muzeu Historik Kombëtar do të zhvillojë pranë Pavijonit të Lashtësisë veprimtarinë “Një ditë me kuratorin!”, me temë “Monedhat, dëshmi e qytetërimit ilir”. Kjo është një veprimtari, e cila synon të rrisë bashkëpunimin midis këtij institucioni me shkollat e mesme dhe të larta. Ky bashkëpunim do t’i sjellë më afër objektet me studentët e nxënësit. Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme  dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.

“Një ditë me kuratorin!”synon të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeale, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën. Kuratori do të ketë në qendër të diskutimit objektet e një pavijoni të një periudhe historike të caktuar, do të diskutojë për origjinën e një objekti të veçantë të ekspozuar në stenda, aspektet artistike e specifike, skenën e teknikën që është përdorur për realizimin e tij. Studentët për një ditë do të jenë nën udhëheqjen studimore të kuratorit, pranë pavijoneve të Muzeut, ku do të mësojnë më tepër rreth objekteve muzeore. /ATA/

Pin It