Përfaqësuesit e komunitetit arbëresh ura bashkëpunimi me Muzeun Historik Kombëtar

Në kuadër të organizimeve për vitin jubilar të Skënderbeut, në Tiranë përfaqësuesit e komunitetit arbëresh u treguan të gatshëm që të vendosin ura bashkëpunimi me Muzeun Historik Kombëtar.

Për këtë bashkëpunim, shërbeu dhe një vizitë e tyre në pavijonet e Muzet Historik Kombëtar dhe takimi me drejtorin e institucionit Dorian Koçi.

Përfaqësuesit e komunitetit arbëresh treguan një interes të veçantë për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë dhe për këtë drejtori Koçi i garantoi në dhënien e ndihmesës së Muzeut Historik Kombëtar në njohjen e identitetit kombëtar të arbëreshëve dhe në nxitjen e daljes në pah të fakteve historike të historisë së Shqipërisë të asaj kohe.

Delegacioni u shpreh entuziast për vizitën e tyre në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar dhe shprehën vlerësimin e tyre për historinë e popullit shqiptar që nga kohët më të lashta e deri më sot.

Në kuadër të këtyre organizimeve, këto ditë Tiranën po e vizitojnë përfaqësues të komunitetit arbëresh në Itali, të cilët kanë ruajtur të gjallë në këngë figurën e Heroit tonë Kombëtar.

Arbëreshët jetojnë në Itali nga shekulli XV, ku ka qenë mërgata arbëreshe deri shekullit XVIII, në rajonet e Abrucot, Kampaniës, Apulias, veçanërisht në Bazilikat, Moliz, Kalabri dhe Siçili. Janë emërtuar si arbëreshë, pasi në kohën kur u larguan nga Shqipëria, ajo quhej Arbëria.

Arbëreshët u vendosën në Itali në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pushtimit gradual të Shqipërisë dhe të gjithë Perandorisë Bizantine nga turqit osmane.

Njihen shtatë eksode të mëdha që nisin që nga koha menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, deri nga fundi i shek. XVIII (1780-1790).

Ngulimet e fundit të arbëreshëve janë në Italinë qendrore-veriore, si në Provincën e Pavias dhe të Piaçencës, po ashtu një grup i madh iu drejtua rajonit qendror të Abrucos.

Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet dhe ritet e doket që kishin në mëmëdhe. Një nga veçoritë që karakterizon shumë këtë popull është, përveç gjuhën dhe veshjet popullore, që ruajtën me heroizëm deri sot edhe ritin fetar.

/ATA/

 

Pin It