Përzgjidhen finalistët e çmimit ‘Kadare 2017’

Çmimi i madh do të shpallet gjatë ditëve letrare të Razmës, që mbahen më 26-27-28 maj. Fituesi i çmimit “Kadare 2017” për letërsinë shqipe do të shpallet gjatë Ditëve të Razmës në fund të majit mes gjashtë autorëve finalistë që u përzgjodhën dje nga juria.

 Juria e çmimit “Kadare” në letërsi, një çmim prej 10 mijë euro që akordohet nga Instituti Evropian Pashko me mbështetjen e Universitetit Evropian të Tiranës, ka ngushtuar listën e konkurrentëve, dy javë para vendimit për fituesin.

Juria u mblodh dje, ku katër anëtarët e saj, Ylljet Aliçka, Mirela Oktrova, Ledia Dushi dhe Agim Baçi dhe kryetari i jurisë, shkrimtari Bashkim Shehu, në video-konferencë nga Spanja, pas diskutimeve dhe një votimi të fshehtë arritën të ngushtonin listën e finalistëve me 6 autorë nga 36 autorë që konkurruan këtë vit me dorëshkrimet e tyre.

Lista e autoreve dhe titujt e veprave mes të cilëve do të zgjidhet fituesi janë:

Musa Ramadani – Profeti nga Praga (roman)
Virion Graçi – 800 hapa larg Veneres (roman
Arben Kastrati – I dashuri unë (roman)
Mimoza Ahmeti – Tutori (roman)
Ardian Haxhaj – Vegim (roman)
Brajan Sukaj – Viti i Elefantit (roman)

Ledia Dushi, koordinatore e çmimit Kadare, duke folur mbi punën e jurisë dhe prurjet e këtij viti në konkurrim tha se “në fazën e parë u përzgjodhën 36 vepra nga të cilat 7 vepra ishin nga autore femra, shkruan mapo.Pas votimit të fshehtë të jurisë u selektuan 6 autorë, disa prej tyre të njohur tashmë dhe autorë të rinj në letërsinë shqipe”.

Çmimi i madh do të shpallet gjatë ditëve letrare të Razmës, që mbahen më 26-27 -28 maj. Këtij evenimenti këtë vit i bashkëngjitet edhe konferenca shkencore për letërsinë, me temë “Kujtesa dhe letërsia”, organizuar nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve për Publikun në UET./ATA/

Pin It