Piktorja nga Berati fiton vendin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Pikturës në Francë

Piktorja e re nga Berati fiton medaljen e vendit të parë në Konkursin Ndërkombëtar të Pikturës në Francë. Kryetari i Bashkisë Petrit Sinaj priti sot nxënësen 12- vjeçare, talent në pikturë, Melina Çala, e cila është fituese e Konkursit Ndërkombëtar për realizimin e pikturave në formë maskotësh, organizuar në qytetin Saint Fargeau në Francë.

Melina, pjesë e grupit të artistëve të vegjël beratas ‘’Art Color’’, konkurroi për Shqipërinë në grupmoshën 10-12 vjeçare. Në këtë konkurs, ku shpalosën punimet e tyre pjesëmarrës nga 13 shtete europiane, Melina Çala fitoi medaljen e vendit të parë.

Kryetari i Bashkisë shprehu gatishmërinë e institucionit që ai përfaqëson për të financuar pjesëmarrjen e këtij grupi fëmijësh të talentuar në konkursin ndërkombëtar të radhës. Melina i dhuroi Bashkisë së Beratit një punim të saj me pamje të Mangalemit, punim i cili do të ekspozohet në sallën e takimeve të Bashkisë./ATA/

Pin It