Prezantohet plani mbrojtës dhe riintegrues për viktimat e trafikimit

auto_trafikim1438374678

Prezantohet plani i veprimit për riintegrimin socio-ekonomik të grave dhe vajzave, viktima të trafikimit, në vendin tonë. Mbrojtje sociale dhe punësim për një jetë më të sigurt. Ky është misioni që synon të arrijë zbatimi i këtij dokumenti të realizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare të Migracionit dhe “UN Ëomen”.

“Ky plan veprimi është përgatitur në emër të qeverisë shqiptare, me mbështetjen e IOM. Për disa muaj kemi realizuar konsultime me partnerët, duke pasur si qëllim asistencën ndaj grave dhe vajzave, viktima të trafikimit, si dhe integrimin e tyre në shoqëri. Dua të theksoj se rritja e numrit të femrave të trafikuara, ka bërë që këto dy vitet e fundit të sillen në vëmendje nisma konkrete në fushën e arsimit, sociale dhe ekonomike. Është shumë e rëndësishme që këto gra e vajza të futen në një mjedis të qëndrueshëm, ku të kenë mundësi për shërbime sociale. Mbrojtja e të drejtave themelore është përgjegjësi në çdo shoqëri”, tha zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea. Ajo shtoi se ky plan përfshin një skemë të detajuar, mbështetje financiare të bizneseve për punësimin e këtyre viktimave, si dhe ripërfshirjen në sistemin arsimor. “Përgjegjësia më e madhe bie mbi ministrinë tonë. Ne kemi për qëllim të mbrojmë figurën e gruas ndaj çdo lloj diskriminimi, si dhe të rregullojmë kuadrin ligjor e të ofrojmë mbrojtje sociale për viktimat e trafikimit. Zyrat e punës kanë filluar në ndërmjetësimin për punësimin e tyre”, u shpreh zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri.

Pin It