Pro Përmet dhe COSPE Albania i bashkohen Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural

Pro Përmet dhe COSPE Albania, dy organizata që operojnë në sektorin e bujqësisë, i janë bashkuar Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural, (ANDR) duke u anëtarësuar në këtë Rrjet, për të punuar së bashku për zhvillimin e zonave rurale në Shqipëri.

 

Pro Përmet dhe COSPE Albania, përkatësisht me qendër në Përmet (në jug të vendit dhe Zadrimë në veri të Shqipërisë) zhvillojnë aktivitetin e tyre në mbështetje të fermerëve dhe agrobiznesit për përmirësimin e aktivitetit rural bujqësor dhe blegtoral dhe rritjen e ekonomisë rurale. Bashkëpunimi me (ANDR) pritet të zgjerojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave mes shoqatave bujqësore vendase dhe atyre të huaja.

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANDR) është një organizatë joqeveritare e krijuar në dhjetor 2015. ANRD shënon Rrjetin e fundit që krijohet në vazhdën e zgjerimit të lëvizjes për zhvillim rural – një lëvizje mbarë- europiane në përpjekje për të përmirësuar cilësinë e jetës në zonat rurale. Krijimi i Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural lindi si nevojë për të siguruar politikbërje efektive të zhvillimit rural. Si rrjedhim, ANRD është një mekanizëm për të mbështetur dhe zbatuar politikat për zhvillimin rural në Shqipëri në frymën e parimeve që udhëheqin proceset integruese të vendit në Bashkimin Evropian.

ANRD që në dy muajt e parë të funksionimit u pranua si anëtare e Rrjetit Rural Europian – PREPARE Network dhe e Rrjetit Ballkanik për Zhvillimin Rural (BSDN). Misioni i Rrjetit është të promovojë zhvillimin rural të udhëhequr nga komuniteti nëpërmjet advokacisë dhe nismave në hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm rural me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës të komuniteteve rurale në Shqipëri. e.xh//m.m/

Pin It