Zoti i ka dërguar njerëzimit mijëra profetë. Ata të gjithë kanë predikuar të njëjtin mesazh – të adhurojmë një Zot, të vetëm, pa shok, bij apo bija. Të gjithë profetët kanë ardhur për një qëllim të vetëm, të udhëzojnë njerëzimin drejt Zotit.
“…Ne u kemi dërguar profetë edhe kombeve përpara jush…” [Surja Nahl, 63]
”Vërtet, ne i kemi dërguar mesazherë edhe shumë kombeve përpara jush…” [Surja En’am, 43]
Fjala profet (në arabisht nebi) rrjedh nga fjala “naba”, që do të thotë lajm. Meazhi i Zotit i është shpallur njerëzimit dhe Profetët e kanë përhapur atë mes njerëzve. Zoti i mbështet profetët e tij me mrekulli të dukshme të cilat nuk mund të kryhen nga njerëzit e zakonshëm. Këto mrekulli janë dhuratë prej Zotit dhe shërbejnë si shenjë që njerëzit të kuptojnë se profetët janë njerëz të zgjedhur prej tij. Për shembull, në kohën e Isait a.s, izraelitët kshin dijeni të shumta në fushën e mjekësisë. Pikërisht për këtë arsye Isai a.s, kreu mrekulli të kësaj natyre që konsistonin në kthimin e shikimit të verbërve dhe shërimin e të sëmurëve me lebrozë.
Historitë e Kur’anit ofrojnë mësime dhe morale të shkëlqyera si dhe tregojnë virtytet dhe cilësitë e larta të profetëve. Islami na mëson të mos i hyjnizojmë profetët e Zotit, sepse ata mbeten njerëz. Ata duhet të duhen dhe të respektohen, por nuk mund të adhurohen ose të konsiderohen si gjysmë-zotëra ose ndërmjetës mes njerëzimit dhe Zotit.
Profetët janë ambasadorët e Zotit në tokë. Misioni i tyre është të përçojnë qartë mesazhin e Zotit. Ky aktivitet përfshin thirrjen e njerëzve tek besimi në një Zot, shpjegimin e mesazhit të tij, përgëzimin dhe paralajmërimin e njerëzve si dhe administrimin e çështjeve kombëtare. Profeti Muhamed a.s, është vula e profetëve. Pas tij nuk do të ketë profet tjetër. Mesazhi i tij nuk i drejtohet një grupi të veçantë, fisi ose kombi; është një mesazh për të gjithë njerëzimin, për të gjithë njerëzit, në të gjitha vendet dhe kohërat. Kjo e dallon profeti Muhamed nga profetët e tjerë duke e ngritur atë në një pozitë të veçantë. Megjithatë edhe ai, njësoj si profetët e tjerë, ishte në ankth të mësonte nëse e kishte përçuar qartë dhe drejtë mesazhin e Zotit. Gjatë predikimit të tij të fundit ai i pyeti tre herë të pranishmit nëse e kishte përçuar mesazhin, dhe iu lut Zotit që të dëshmonte përgjigjen e tyre, që ishte një “po” kumbuese.
Zoti i ka dërguar profetët për të udhëzuar njerëzimin. Ata ishin njerëz, me karakter të jashtëzakonshëm, të devotshëm dhe të sinqertë, në mënyrë që njerëzit t’i ndiqnin dhe t’i shikonin si modele për jetët e tyre. Ata nuk ishin zota, as gjysmë-zota apo shenjtorë me cilësi hyjnore, por thjesht njerëz të ngarkuar me një detyrë të vështirë. Zoti i mbështeti gjatë misionit të tyre për të orientuar njerëzit drejt adhurimit të Zotit, Një dhe të Vetëm.