Profeti, dritë e njerëzimit

Në të gjitha aspektet Profeti (a.s.) ka qenë i pari dhe askush nuk mund të krahasohet me të. Ai  ka qenë adhuruesi më i madh, durimtari më i madh, agjëruesi më i madh. Ai ishte që më shumë se çdokush tjetër i mbështetej më fort Allahut. Ai ka qenë njeriu që më shumë se çdokush tjetër ishte i kënaqur me caktimin e Zotit. Ai (a.s.) ishte njeriu që më shumë se çdokusht tjetër i lutej Allahut, e falënderonte dhe kërkonte strehim tek Ai. Ka qenë më trimi, më toleranti, më i turpshmi, më i edukuari, më modesti. Ai ka qenë njeriu që më mirë se çdokush tjetër e ndjente mbikqyrjen e Allahut, njeriu më i përkushtuar dhe më i përqendruar në adhurim, njeriu që më shumë se kushdo tjetër ka falë namaz.

Profeti falej gjithë natës, përveçse një pjese të vogël të saj, saqë këmbët i mpiheshin nga qëndrimi i gjatë. E megjithëse atij i janë falur të gjitha mëkatet, me këtë falje ai (a.s.) shprehte mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Allahut të Lartësuar.

Ja se si e përshkruan Auf ibnu Malik Profetin (a.s.) duke falur namazin e natës: “Një natë isha me Profetin (a.s.). Në fillim i pastroi dhëmbët me misvak, mori abdes dhe pastaj u fal. Edhe unë iu bashkangjita në namaz. Ai filloi të lexonte suren Bekare. Sa herë që lexonte një ajet që fliste për mëshirën e Allahut, ndalonte dhe lutej për mëshirë. Sa herë që lexonte ndonjë ajet që fliste për ndëshkim, ndalonte dhe kërkonte mbrojte prej Allahut nga ndëshkimi. Më pas ai ra në ruku dhe qëndroi ashtu afërsisht sa kishte qëndruar në këmbë … Pastaj binte në sexhde duke qëndruar përafërsisht aq sa kishte qëndruar më parë. Më pas në rekatin tjetër lexoi suren Ali Imran dhe veproi ashtu siç kishte vepruar në rekatin e parë.”

Pin It