Qëllimi i dërgimit të Profetëve

Profetët, pavarësisht nga ndryshimi i nivelit mes tyre, janë shpirtra të zgjedhur, të denjë për shfaqjen e personit të Providencës Hyjnore. Allahu (xh.xh.) i ka pranuar ata si të posaçëm vetëm për veten, i ka rritur në mjedise të mbyllura për të tjerët, i ka zhvilluar dhe ka prerë mundësinë që në sytë e tyre të hyjnë, përveç vetes, iluzione të tjera. Po përse, vallë, kanë ardhur në këtë botë dhe në bazë të ç’qëllimi janë dërguar?

1. ADHURIMI

Qëllimi i dërgimit të profetëve bashkohet në të njejtën pikë me qëllimin e krijimit të njeriut. Dhe kjo pikë qëndron në vijën që përcakton pozitën e njeriut si rob i Zotit, për rrjedhojë, adhurimin e Tij nga njeriu.

Allahu urdhëron kështu në Kur’an: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit vetëm për të më adhuruar!” [Surja Dharijat: 56].

Kjo do të thotë se qëllimi themelor për të cilin jemi krijuar, është ta njohim Zotin dhe ta kryejmë denjësisht detyrën e robit ndaj Tij. Nuk është të hamë e të pimë, të vëmë mall e pasuri e të bëhemi pronarë ndërtesash të dimensioneve të kësaj bote. Ç’është e vërteta, këto janë nevojat tona të krijimit, por jo qëllimi i krijimit tonë. Ja, pra, profetët na kanë ardhur për të na treguar këtë rrugë enigmatike. Në Kur’an bëhet fjalë për këtë specifikë: “Nuk pati të dërguar para teje që të mos i kemi reveluar: “Nuk ka zot tjetër përveç Meje, prandaj më adhuroni!” [Surja Enbija: 25].

2. KUMTESA

Një nga qëllimet e tjera të dërgimit të profetëve është edhe kumtesa fetare. Po të mos kishin ardhur profetët, ne nuk do të mund t’i dinim çështjet lidhur me adhurimin, nuk do të mund të merrnim urdhrat dhe ndalimet dhe nuk do të mund të konceptonim përgjegjësinë tonë. Ç’janë namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi? Ç’është statusi i ndalimeve të tilla si pijet alkoolike, kumari, adulteri, faizi, etj? Të gjitha këto dhe shumë çështje të tjera të ngjashme i njohim sot me anë të ndërmjetësisë së profetëve. Kësaj i themi shkurt “detyra e kumtesës” që ka qenë po ajo tek të gjithë profetët, të cilët kanë ardhur me të njëjtat mesazhe dhe kanë thënë të njëjtat gjëra në çështjet kryesore edhe nëse kanë pasur dallime në hollësirat. [Buhari, Enbija, 48; Myslim, Fezail, 145]

Qëllimi dhe detyra e përgjithshme e profetëve shprehet kështu në Kur’an: “Ata që kumtojnë fjalën e Allahut, frikësohen vetëm prej Tij e askujt tjetër. Mjafton Allahu si llogarikërkues!” [Surja Ahzab: 39].

3. SHEMBULL I BUKUR

Një tjetër specifikë që do ta quanim si qëllim të dërgimit të profetëve, është edhe që ata të bëhen një shembull i bukur për bashkësitë e tyre.

Në Kur’an Allahu thotë: “Ishin ata që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, prandaj edhe ti përshtatju atyre!” [Surja En’am: 90]. Duhet të na vërë në mendime fakti që edhe vetë Profetit tonë, pasi i përmenden profetët e kaluar emër për emër, i thuhet që të ecë në rrugën e tyre! Edhe neve kështu na bën zë Kur’ani: “I Dërguari i Allahut është një shembull i bukur për ata që shpresojnë shpërblimin e Allahut në Ditën e Ringjalljes, për ata që e përmendin shpesh Allahun.” [Surja Ahzab: 21]

4. SIGURIMI I DREJTPESHIMIT BOTE – AMSHIM

Profetët kanë ardhur për të realizuar drejtpeshimin botë – amshim.

Me drejtpeshimin e sjellë prej tyre do të shpëtonte njeriu nga qëndrimet ekstremiste të indiferencës dhe teprimit dhe do të gjente kahjen e duhur. Po, as tërheqje nëpër manastire duke braktisur çdo gjë të kësaj bote siç bëjnë priftërinjtë dhe murgjit, as dhe shtënie me gjithçka duke u bërë skllav i saj, por gjetje e udhës së mesme dhe një jetesë e tillë që, në vetvete, është një meritë që mund të shtihet në dorë vetëm nën ndriçimin e revelacionit hyjnor. Sa për mendjen dhe ndërgjegjen, me këto nuk mund të arrihet një drejtpeshim i tillë. Veçanërisht me shkencat abstrakte nuk mund të ngjitet njeriu në një nivel të tillë.

Kur’ani e karakterizon kështu këtë drejtpeshim: “Dhe me ato që të ka dhënë Allahu, kërko të fitosh botën tjetër pa lënë mangut atë që të takon nga kjo botë. Dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty e mos syno për të këqia, se Allahu nuk i do ata që shkaktojnë të këqia e çrregullime në tokë.” [Surja Kasas: 77]

5. MBYLLJA E DERES PRETENDIMEVE

Profetët janë dërguar që Ditën e Gjykimit njerëzit të mos kenë asnjë pretendim ndaj Providencës Hyjnore.

Një ajet-argument i Kur’anit e shpjegon kështu këtë specifikë: “Dërguam pejgamberë myzhdedhënës dhe paralajmërues në mënyrë që pas tyre njerëzit të mos kishin pretendime para Allahut. Allahu është Sovran dhe i Gjithëditur!” [Surja Nisa: 165].

Çdo pejgamber ka ardhur me një pjesë mrekullish për t’i bërë njerëzit që të besojnë dhe për të mos u dhënë mundësi pretendimeve të atyre që s’besojnë. Kurse më i madhi i pejgamberëve i pati sjellë të gjitha mrekullitë e paraardhësve të tij dhe pati treguar se ishte Shembulli i Përgjithshëm.  Secila bashkësi i pa vetë ose dëgjoi për mrekullitë e profetit të vet. Edhe ne kemi dëgjuar për mijëra mrekulli të të Dërguarit të Allahut, ndërsa e kemi parasysh gjithmonë një mrekulli të amshuar si Kur’ani. Pas kësaj, askush nuk ka të drejtë për të kundërshtuar apo pretenduar. Allahu (xh.xh.), të vërtetat që ka dashur t’i besojmë, i ka parashtruar para syve të njerëzve me anë të profetëve të vet në një formë mjaft të hapët e të qartë. Sepse kjo ka qenë edhe një nga qëllimet e dërgimit të tyre.

 

Pin It