Rama: ” Ka ardhur momenti që shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare “

723125

Ashtu siç është kthyer tashmë në traditë, në të 11-tin vit radhazi, në Tiranë Komuniteti Mysliman Shqiptar festoi në një aktivitet të posaçëm ditëlindjen e profetit Muhamed. Në këtë ceremoni ishte i ftuar edhe kryeministri i vendit Edi Rama i cili teksa e cilësoi profetin Muhamed si krenarinë e njerëzimit u shpreh se atij i takon nderimi dhe vlerësimi i të gjithë njerëzve vulllnetmirë, pa dallim bindjesh fetare.

Në fjalën e tij, Rama ndër të tjera vuri theksin tek shkollat, të cilat duhet të jenë skena kryesore e luftës për dritë, e betejës për qytetërim dhe e kultivimit të vëllazërisë.

“Besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare. Ti çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije mundësinë të armatoset me instrumentat e dijeve dhe të mos jetë viktimë e propagandave tunduese të atyre që s’kanë asnjë lidhje me profetët që i çelën rrugë qytetërimeve të sotme dhe që në emër të islamit kryejnë krime të cilat janë  të destinuara të ndëshkohen,” deklaroi Rama.

Sipas kreut të qeverisë, vetëm ushqyerja e fëmijëve me kulturën e feve, mund t’i mësojë ata të përballen me demagogët që përgjakin njerëzimin.

“Besoj se sot të gjithë duhet të ndjejmë përgjegjësinë e madhe se të rinjtë, adoleshentët në Tiranë apo Paris, Prishtinë apo Londër, në Europë apo ShBA, janë të paarmatosur me instrumentat e dijes për t’u përballur me demagogët, me sharlatanët që kërkojnë të nxjerrin përfitime duke e përgjakur njerëzimin apo duke e tërhequr për hunde. Unë besoj se mbi këtë terren injorance, ku përfitojnë ekstremistët e dhunshëm apo ato të veshur me kostum dhe kravatë që i flasin Evropës dhe Amerikës për rrezikun e myslimanëve,  i takon çdo shteti që t’i hapë rrugë që çdo fëmijë të ushqehet me kulturën e feve. Sepse aty qëndron një forcë e madhe jo vetëm për besimtarët, por edhe jo besimtarët,” u shpreh kryeministri Rama.

Teksa vlerësoi Komunitetin Mysliman Shqiptar për rolin emancipues dhe paqtues për kombin tonë, Rama bëri me dije se është gati projekti që do ta ktheje shkollën publike në një hapësirë njohëse jo vetëm për shkencat por edhe për fenë.

“Ky projekt konsiston jo në cënimin e laicitetit të shkollës por në forcimin e themeleve të kulturës laike e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm apo të atij me kostum e kravat nëse nuk arrin të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues civilizimesh dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre e tundimeve të mëdha që joshin dhe kthejnë në viktima fatkeqe të xhihadizmit apo të ekstremizmit politik vajza e djem që s’kanë fuqinë e brendshme shpirtërore se ju mungojnë këto instrumenta,“ shtoi ai.

Projekti sipas kryeministrit Rama, do të fillojë me një numër shkollash në zona urbane dhe rurale në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare në perëndim dhe lindje.

“Kemi thirrur ekspertë të mirënjohur botërisht dhe do eksperimentojmë falë teksteve të përgatitura në harmoni të plotë mes këtyre institucioneve, që nga Observatori i Laicitetit në Paris dhe komunitetet tona fetare. Për herë të parë nxënësit do të nxiten nga mësues të trajnuar të përvetësojnë elementët e të folurit, duke zhvilluar sensin e përkatësisë falë dhe jo në pësim të dallimeve fetare,“ shpjegoi më tej Rama.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri tha: Të luftosh ekstremizmin nuk mjafton të çosh ushtarë në front, të mobilizosh ushtri dhe koalicione ushtarake sepse nuk është betejë që fitohet përmes armëve, por luftë që fitohet në mendjet dhe zemrat e më të rinjve në mbarë globin. Ky mision fisnik i përket mësimdhënies për t’i bërë qëndresë dhe për ta ripërtërirë vëllazërinë njerëzore.

Pin It