Reforma e Ujit, 90 ditë kohë për vetërregullim

Të gjithë konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm, kanë afat 90 ditë që të vetërregullojnë situatën dhe lidhin kontratat brenda 90 ditëve.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama sot gjatë prezantimit në kryeministri të Reformës në sektorin e ujit të pijshëm.

Rama u shpreh se njëkohësisht do të nisë prerja e lidhjeve të paligjshme pa penalizime në këtë periudhë tranzitore, për të vazhduar në shkurt me kontrollin derë më derë dhe penalizimet ligjore për çdo vjedhje të ujit.

Mungesa e furnizimit me ujë, shqetësim kryesor i qytetarëve

Kryeministri u shpreh se mungesa e furnizimit me ujë përbën një problem parësor në ankesat e qytetarëve.

Sipas kreut të qeverisë, ndryshimin mes vendeve që zhvillohen dhe vendeve që nuk zhvillohen nuk e bën pasuria natyrore, por dija për ta kthyer pasurinë natyrore në vlerë që zhvillon vendin, shoqërinë dhe rrit mirëqenien.

“Jemi vendi i vetëm në Europë që kemi problem me ujin e pijshëm të qytetarëve dhe nëse e vlerësojmë ujin si kriter thelbësor për mbijetesën atëherë shumë njerëz në të gjithë vendin nuk jetojnë normalisht”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, me përjashtim të 7 qyteteve të mëdha të vendit, në qytete të tjera dhe fshatra uji vjen 4-5 orë në ditë ose më pak. Edhe në mes të kryeqytetit shohim prapambetje të madhe, u shpreh Rama.

Uji, 30 vjet si mall pa zot

Kryeministri theksoi se po bëhen rreth 30 vjet, që uji është konsideruar si mall pa zot dhe jo si një pasuri kolosale që mund dhe duhet të përkthehet në zhvillim dhe mirëqenie.

“Në çdo Bashki të vendit situata është ekonomikisht e paqëndrueshme. Shteti subvencionon ujësjellësat që të mos falimentojnë. Është një situatë që nuk ka si bëhet më keq. Është një reformë me një vendosmëri të hekurt”.

Kryeministri Rama theksoi se puna për këtë reformë kërkon vendosmëri ashtu si reforma në energjinë elektrike. “Vetëm ashtu mund të dalim nga ky sistem që fatkeqësisht, mbahet në një agoni duke shpenzuar para pa fund”, tha Rama.

Brenda 300 ditëve të pajisen me matës qytetarët

Kryeministri u shpreh se, “duam që brenda 300 ditëve të para të qeverisjes, pak a shumë deri në qershor, të kemi pajisur me matësa të gjithë ata që do të vetërregullohen si dhe të gjithë ata që do të kapen në paligjshmëri dhe do dënohen brenda ligjeve që kodi penal i ka shumë të rënda.

Kryeministri u shpreh se problemin është tek mendësia.

“Nuk janë të gjithë që nuk paguajnë. Aksioni apo operacioni Kombëtar për pastrimin e rrjetit nga lidhje të paligjshme do të fillojë menjëherë, por e përsëris do të bazohet në domosdoshmërinë që njerëzit vetë duhet të angazhohen me vullnet të lirë brenda 90 ditëve për të rregulluar gjendjen e tyre”, tha Rama.

Po ashtu, vijoi kryeministri, “konsumatorët që kanë detyrime të prapambetura do të likujdohen përpara se të nisë operacioni. Natyrisht në këtë përpjekje barra e bashkive është e posaçme, nuk është njësoj si në rastin e operacionit me energjinë elektrike, por nga ana tjetër edhe mirëkuptimi i qeverisë është i posaçëm duke parë që bashkitë nuk i kanë të gjitha mundësitë dhe në këtë operacion jemi partner”.

Brenda 2018, ujërat nëntokësor do të formalizohen

Kryeministri theksoi gjithashtu se, brenda viti 2018 çdo konsumator që përdor apo dëshiron të përdorë ujërat nëntokësorë, duhet të jetë me leje autorizimi për ta përdorur këtë pasuri të përbashkët.

“Formalizimi i të gjitha puseve që përmbushin kushtet teknike, por dhe mbyllja e të gjitha puseve që nuk i plotësojnë kushtet teknike do të jetë pjesë e këtij operacioni. Dhe natyrisht do të ketë matës për të gjithë puset”, tha Rama.

Aksion Kombëtar për pastrimin e lumenjve

Ministria e Mjedisit do të nisë një aksion kombëtar për pastrimin e lumenjve nga inertet, mbeturinat, helmet kimike, që janë trashëguar aty prej vitesh dhe ndosin ekosistemin, u shpreh kryeministri Rama.

“Abuzimi me lumenjtë”, theksoi kreu i qeverisë, “është shndërruar në një arsye madhore e përmbytjeve që pastaj kur ndodhin shkatërrojnë dhjetëra milionë dëme anë e mbanë vendit”.

Në këtë betejë, e konsiderojmë veten bashkë dhe pa asnjë dallim nga të gjithë ju. Po ashtu edhe prefektët e porsaemëruar do të jenë pjesë e këtij operacioni duke koordinuar punën mes qeverive dhe kryetarëve të bashkive dhe duke qenë pranë që në çdo moment të jemi sinkron duke qenë bashkë në çdo situatë.

Borxhet e vjetra, do të vlerësohen

I pyetur nga drejtori i Ujësjellësit të Shkodrës për borxhet e vjetra, Kryeministri solli shembull reformën e energjisë.

“ E mbani mend kur nisi reforma e energjisë, kur tendenca e shumicës ishte të falin. Arsyeja pse isha kundër, ishte kjo që sapo tha ministri, sjell nevojë për falje tjetër. Koha na dha të drejtë, ne në proces ndërtuam një tërësi mekanizmash lehtësues për ata që u futën në kuadër të plotë ligjor dhe dëshmuan vullnet për të mos vazhduar avazin e vjetër”, tha Rama.

“Borxhet duhet të ndryshojnë në mentalitet. Askush nuk ju kërkon t’i paguani sot, por vlerësimi mbi borxhin do bëhet duke nisur nga sot. Nëse nuk krijohen borxhe të reja, do ta kemi shumë më të lehtë të gjejmë rrugën për t’u çliruar nga borxhet e vjetra, që nuk do iu mbeten juve në kurriz. Nëse vazhdon si në të shkuarën, kjo nuk do të jetë e mundur”, u shpreh kryeministri. /ATA/

Pin It