Rikthehet në Teatrin Kombëtar drama ”Equus”

Drama “Equus” do të rikthehet edhe një herë në skenën e Teatrit Kombëtar, kjo në sajë të kërkesave të shumta të atyre personave që nuk patën mundësinë ta ndiqnin në netët premierë.

Njoftimin e ka bërë vet aktori që luan rolin kryesor Igli Zarka, (Alen). “Për shkak të kërkesave, Teatri Kombëtar rikthen “Equus” në datat 14, 15, 16, 17, 18 Qershor. Kalërimi i fundit!Shihemi në TK…”, kështu ka lajmëruar me një status në profilin e tij në Facebook, Igli Zarka.

Si vepër e autorit Petter Shaffer e me regji të boshnjakut Dino Mustafiç, “Equus” në Shqipëri korri një sukses jashtëzakonisht të madh si vepër e teatrit bashkëkohor. Regjisori rolin kryesor të psikiatrit Martin Dysart ia ka besuar aktorit Timo Flloko, i cili rolin e fundit në skenën e Teatrit Kombëtar ka pasur atë të Xhon Proktorit në dramën “Shtrigat e Salemit”.

Rolet e tjera në vepër janë nga aktorët Igli Zarka, Ema Andrea, Arben Derhemi, Krist Lleshi, Luli Bitri, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, Ermir Jonka. Balerine: Robert Muha, Fjorald Doci, Akreoma Saliu. Skenografia Broz Dragutin, kostumografia Berina Kokona, koreografia Gjergj Prevazi, muzika Endri Sina dhe përkthyes Artur Lena.

Shaffer, i frymëzuar nga një histori e vërtetë shkruan këtë vepër në vitin 1973. “Equus” është një ndër veprat më kontraversale të dramaturgut Shaffer. Është udhëtimi i mendjes së një djaloshi, i cili me një çengel verbon gjashtë kuaj. Historia flet për marrëdhënien e një psikiatri me pacientin e tij adoleshent, i cili pasionin e tij për kuajt e tregon me verbimin e tyre. Fokusi i veprës bie mbi një shtatëmbëdhjetë vjeçar, Alan Strang dhe Martin Dysard, psikiatër i moshës së mesme i cili pranon ta kurojë atë.

Gradualisht, ai zbulon arsyet, të cilat shtynë djalin të kryejë krimin. Doktori sa më shumë i afrohet pacientit dhe kupton motivet e tij aq më shumë shqetësohet se si duhet të sillet me Alanin dhe “botën e tij të brendshme”, të cilën djali e ka krijuar në kokën e tij, duke vënë në pikëpyetje motivin profesional, madje edhe vetë ekzistencën e tij.

Nëpërmjet raportit me fenë Alani krijon Perëndinë e tij “Equus” dhe ritualin personal. Magjepsjen e tij për të mbinatyrshmen ai e ngatërron me tërheqjen seksuale. Konfuzioni i tij i lë hapësirë pyetjeve mbi marrëdhënien në mes vlerës personale dhe normave shoqërore. Shfaqja vjen në formën e një trilleri psikologjik, (histori hetimi) ndërthurur me elemente të thellë humori. “Equus” ngre dilemën- Çfarë është normale? A duhet ti edukojmë fëmijët për të qenë normal?

Humori, imazhet e forta dhe mjetet dramatike përcjellin qartë tema të rëndësishme, si dhe theksojnë qëndrimin ndaj çështjeve për të cilat kjo shfaqje flet: mungesa qytetarisë, morali i rremë, erotizmi, fashizmit të të gjitha ideologjive, pandjeshmëria e shoqërisë ndaj të ndryshmes. /ATA

Pin It