Rriten eksportet, 50% volumi i transportuar në rrugë tokësore

Përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës rrugore në vend ka rritur volumin e mallrave të transportuara në rrugë tokësore. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë muajit janar eksporti i mallrave me rrugë tokësore u rrit me 49%.

Por pavarësisht dyfishimit të eksporteve të transportuara përmes akseve rrugore, volumi më i madh i mallrave transportohet përmes detit.

“Në janar 2018, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 68 miliardë lekë dhe 54.4% e tyre u transportua me det”, thuhet në raportin e publikuar sot nga INSTAT.

Gjatë muajit janar 2018, në portin e Durrësit janë kryer 92.7% të volumit të mallrave të ngarkuara/shkarkuara në të gjitha portet.

Rritje ka pësuar edhe volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë. Gjatë muajit të parë të këtij viti u transportuan përmes hekurudhës 761 mijë ton/kilometër, shifër kjo 13.8% më e lartë krahasuar me janarin e 2017-s. Referuar statistikave të INSTAT-it, në muajin janar 2018, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 182 ton, duke u rritur me 15.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në janar 2018, mallrat e importuara me rrugë detare zënë 49.2%, me rrugë tokësore 39.5% dhe nëpërmjet ajrit 3.0%. Mallrat e importuara me hekurudhë janë rritur me 26.1% dhe me rrugë janë rritur me 22.3%, krahasuar me janarin e 2017-s.

ATA

Pin It