Sadakaja e Fitrit, jo vetëm bamirësi


Sadakaja e fitrit, apo siç njihet ndryshe te ne “fitrat”, është lëmosha që jepet si falënderim për mundësinë që Allahu i ka dhënë myslimanit, për vlerësimin e përjetimin e Ramazanit dhe për përfitimin nga begatitë e mirësitë e tij. Sadakaja e fitrit është obligim për çdo mysliman e myslimane.

Ibn Abbasi r.a. transmeton se “Profeti e bëri detyrim zekatin (sadakanë) e fitrit, pastrim për agjëruesin nga thashethemet dhe fjalët e kota, si dhe ushqim për të varfrit…” Përfitimet që rrjedhin prej saj mund t’i ndajmë në dy aspekte: personale dhe shoqërore. Njeriu që agjëron, për shkak të natyrës së tij të dobët, mund të bjerë në gabime, të cilat përbëjnë mangësi në procesin e agjërimit dhe në këtë këndvështrim, sadakaja është një praktikë që e çon në përsosmëri këtë ritual.

Ndërsa nga këndvështrimi shoqëror, sadakaja, veçanërisht në ditën e bajramit, shërben për pasurimin e sofrave të të varfërve. Me dhënien e saj mundësohet afrimi i të pasurit me të varfrin dhe zbuten sadopak diferencat midis tyre. Ndoshta edhe për këtë shkak masa e saj është ruajtur në masë të kufizuar, për t’i dhënë mundësinë sa më shumë njerëzve të ndiejnë kënaqësinë që përftohet kur ndihmon të tjerët.

Sadakaja e dhënë, shpenzimi i bërë, bëhet vetëm për hir të Allahut, duke e pritur shpërblimin vetëm nga Ai. Lidhur me këtë jemi urdhëruar kështu: “O besimtarë, mos e shkoni dëm shpërblimin që fitoni nga sadakatë që shpërndani duke u krenuar para nevojtarëve e duke u shkaktuar atyre mundim, se kështu do të jeni si ata që shpenzojnë pasurinë të nisur nga dëshira për të pasur emër të mirë dhe për të fituar dashamirësinë e të tjerëve…” [Surja Bekare, 264] Prandaj, le të mos e shkojmë kot shpërblimin e sadakasë së dhënë duke ia përmendur atë nevojtarit marrës. 

Këshilli i Teologëve pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka vendosur që sadakaja e fitrit për vitin 2018 të jetë 200 lekë (të reja) për frymë.

Burimi: Revista “Drita Islame”

Pin It