“Sfidat e gjuhës amtare”, ditën e nesërme ekspertët ndajnë sugjerimet konkrete

Sfidat me të cilat përballet gjuha shqipe sot, do të jetë subjekti kryesor i një tryeze të përbashkët mes studiuesve dhe ekspertëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ditën e sotme pranë ambienteve të COD, në Kryeministri.

Kështu, studiues të gjuhës dhe kërkues shkencorë nga të gjitha katedrat e gjuhës së universiteteve shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni si dhe përkthyes të mirënjohur do të japin sugjerimet e tyre konkrete, ç’ka do t’i shërbejë edhe shumë problematikave me të cilat gjuha amtare përballet sot. Më konkretisht, takimi do të fokusohet me sfidat e saj në realitetin global, teknologjik, virtual e shumë sfera të tjera.

Ky takim tdo të moderohet nga prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, gjuhëtar i mirënjohur me kontribute disavjeçare në sociolinguistikë.

Veç studiuesve të gjuhës nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora dhe Gjirokastra, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, do të sjellin përvojën e tyre të drejtpërdrejtë në punën me studentët apo kërkimin shkencor, profesorë të Universiteteve të Prishtinës e Prizrenit, Institutit Albanologjik, dhe Universiteteve të Shkupit e Tetovës.

Krahas studiuesve të gjuhës, brenda e jashtë kufijve, pjesëtarë të tryezës me sugjerimet dhe vërejtjet e tyre janë përkthyesit dhe shkrimtarët e mirënjohur, Edmond Tupja e Mira Meksi, shqipërues, si dhe redaktorë të ndryshëm të shtëpive botuese në vend. Përvoja të tjera do të ndahen edhe nga Institucionet qendrore, përgjegjëse për gjuhën shqipe.

Dialogu publik për gjuhën iu është lënë ekspertëve, në një tryezë teknike dhe akademike, që vë në dukje aspekte për t’u përmirësuar e propozon zgjidhje konkrete, edhe institucionale, me zërin e atyre që punojnë përditë me gjuhën. Ajo ç’ka pritet nga takimi i nesërm ka të bëjë me sugjerime të qarta nga ekspertët./ATA/

Pin It