Shkaqet e zbritjes së Shpalljes Hyjnore (esbâb unnuzûl)


Mjaft vargje kanë zbritur në një moment të posaçëm të historisë dhe në rrethana të përcaktuara mirë. Fjala arabe sebeb do të thotë “arsye, shkak, motiv”. Shprehja ma’rifatu esbâb in-nuzûl i korrespondon njohjes së rrethanave dhe të ngjarjeve të posaçme që kanë lidhje me pasazhe të caktuara të Kuranit. El-Vâhidiu (vdekur më 468 H/1075), një nga dijetarët më të mirë në këtë fushë, ka shkruar: “Kuptimi dhe komentimi i vargjeve kuranore është i vështirë, në qoftë se nuk mbështetemi mbi historinë dhe mbi shkaqet e zbritjes së tyre…”

Njohja e shkaqeve të zbritjes të lehtëson posaçërisht për të kuptuar:
– Kuptimin e drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm të vargut, rëndësinë e tij, si dhe implikimin që merr, vështruar në kontekstin e tij origjinal;
– Qëllimin e vërtetë të vargut;
– Nëse kuptimi i vërtetë ka një përdorim të veçantë apo të përgjithshëm dhe, në rastin e parë, në çfarë rrethanash duhet të zbatohet ky;
– Situatën historike të kohës së Profetit, si dhe zhvillimin e komunitetit të parë mysliman.

Shkaqet e zbritjes na janë përcjellë nga Shokët e Profetit Muhamed (a.s.) përmes tregimeve të ndryshme. Vetëm ato tregime që janë gjykuar autentike (sahîh) mund të konsiderohen të denja për
besim. E njëjta metodë përdoret edhe në shkencat e haditheve. Prania e vetë treguesit në çastin kur ka ndodhur ngjarja, përbën një arsye dhe kusht të fortë për ta pranuar vërtetësinë e tij. Nga ana tjetër, tregimet e tabiûn-ëve, nëse nuk lidhen me Profetin (a.s.) përmes Shokëve të tij, gjykohen të dobët dhe të paqëndrueshëm. Kështu që del e nevojshme të njihet saktësisht kush është ai që tregon ngjarjen, nëse ka qenë i pranishëm aty dhe a i ka transmetuar të plota rrethanat e zbritjes së një vargu kuranor. Shkaqet që mund të shpjegojnë zbritjen e pasazheve të posaçme të Kuranit janë tre llojesh:
1- Zbritje në përgjigje të një ngjarjeje apo të një situate të përgjithshme;
2- Zbritje si përgjigje ndaj një çështjeje të posaçme të ngritur nga dikush;
3- Zbritje për arsye të forta, qofshin këto të përhapura apo jo.

Tregimet e Shokëve të Profetit dëshmojnë që pasazhe të posaçme kanë zbritur në përgjigje të mëse një ngjarjeje, situate ose pyetjeje, apo që zbatimi i një pasazhi të caktuar të Kuranit t’i përkasë më shumë se një rasti të vetëm. Në të kundërtën, shumë vargje mund të kenë të njëjtin shkak. Mund të citojmë për shembull tre vargje që, sipas tregimesh autentike, kanë zbritur në përgjigje të një çështjeje, asaj të Esma bint Umejës. Kjo e fundit e kishte pyetur Profetin (a.s.) përse Kurani u referohej vetëm burrave për dhënien e shpërblimeve në jetën tjetër. Sipas Hakimit dhe Tirmidhiut, vargjet: – Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim).” (Surja Ali Imran, 195);

– “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë
prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.”( Surja Nisa, 32)

– dhe “Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe, agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh..” (33/35) kanë zbritur në përgjigje të kësaj pyetjeje.

Ajo fushë e shkencave kuranore që flet për shkaqet e zbritjes së Shpalljes Hyjnore, përbën një nga fushat e diturisë më të rëndësishme për të kuptuar dhe për të shpjeguar Shpalljen. Një nga etapat më të rëndësishme në fushën e interpretimit qëndron në dallimin midis vargjeve që kanë për shkak vetëm ngjarjen historike nga njëra anë, dhe të vargjeve që përmbajnë implikime më të gjera, që vlejnë për të gjitha epokat, për të gjithë vendet dhe për të gjitha rrethanat, edhe pse mund të mos i referohen një ngjarjeje të posaçme.

Burimi: Hasan I. Nahi, “Kurani i Madhërishëm“, shtëpia botuese: MILENIUM I RI, Tiranë 2006, fq. 39-41.

Pin It