Shpërndarja e librave për nxënësit që do t’i përfitojnë për përdorim falas, do të bëhet pranë shkollave nga mësuesit. Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Edith Durham”, thotë se tekstet do të shpërndahen nga data 10 deri më datën 15 shtator.
Shkollat 9-vjeçare janë duke bërë përgatitjet e fundit për të pritur nxënësit.
Regjistrimet për klasat e para pothuajse kanë përfunduar dhe në fillim të shtatorit do të nisë edhe shpërndarja e teksteve.
Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Edith Durham”, Majlinda Dervishaj, thotë se për nxënësit që do t’i përfitojnë tekset për përdorim falas, pra nga klasa e parë deri në të katërtën, shpërndarja do të nisë në datën 10 deri më 15 shtator.
Majlinda Dervishaj: Në momentin e parë që do të vinë tekstet në shkollë, e para gjë që do të bëjmë është se do t’i shpërndajmë tek mësuesit kujdestar të klasave. Prindërit do të orientohen nëpërmjet sqarimeve që ne do të vëmë jo vetëm në muret e shkollës, por njëkohësisht dhe në lagje. Nga klasa e parë deri në të katërtën do të bëhet në shkollë, ndërsa për klasat e tjera është menduar si në vitet e kaluara me distributorin përkatës të shtëpive botuese.
Tekstet e nxënësve të fillores janë të rinj dhe pas marrjes në dorëzim të tyre, plotësohet një formular, një kopje e të cilit qëndron në shkollë dhe një dërgohet në Drejtorinë Arsimore.
Majlinda Dervishaj: Është i ndarë në dy pjesë, njëra ka lidhje me marrjen në dorëzim të tekstit dhe tjera është me dorëzimin në fund të vitit dhe gjendjen se si do të dorëzohet teksti. Kjo do të mbahet në shkollë që prindi në fillim të vitit do të marrë në dorëzim dhe në fund të vitit do ta dorëzojë dhe do të hedhë dhe firmën.
Në përfundim të vitit shkollor do të dorëzohet vetëm libri i nxënësit dhe jo fletorja e punës.
Për nxënësit nga klasa e pestë dhe deri në të nëntën, tekstet do të mund të blihen në libraritë përkatëse, 10 ditë para nisjes së vitit shkollor.
Për shkak të numrit të lartë të nxënësve që e frekuentojnë këtë shkollë, edhe këtë vit mësimi do të zhvillohet me dy turne.
ATA