“Shpirti arbëresh në veshje”, ekspozita që përshkruan shpirtin e identitetin një populli

“Shpirti arbëresh në veshje” titullohet ekspozita që pritet të hapet më 31 gusht në Muzeun Historik Kombëtar, ku veshjet e paraqitura përfshijnë historinë e arbëreshëve të Italisë së Jugut duke përshkruar shpirtin e një populli që ka identitetin e tij kulturor.

Kjo ekspozitë çelet nga Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Ekspozita pasqyron shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, duke filluar me shpërnguljen e parë (1416-1448) në krahinën e Katanxaros (Garafa, Karfici, Puhëriu, Shën Koli, Vina etj.); më pas vjen shpërngulja e dytë (1459-1462) në krahinën e Avelinos (Greçi e Picilia).

Shpërngulja e tretë (1468-1506) lidhet me krahinën e Kozencës (Ejanina, Falkunara, Farneta, Ferma, Frasnita, Kastërnexhi, Maqi, Marri, Mbuzati, Pllatani, Shën Japku, Shën Mitri, Shën Sofia, Shën Vasili, Ungra etj.).

Stendat e radhës pasqyrojnë shpërnguljen e katërt (1532-1534) në krahinën e Palermos (Hora e Arbëreshëve, Sëndastina, Shën Pali etj.), si edhe shpërnguljen e pestë (1647-1664) në krahinën e Kampobasos (Këmarini, Munxhufuni, Posrtkanuni, Ruri etj.).

Duhet theksuar fakti se shpërnguljet e fundit të shqiptarëve, shpërngulja e gjashtë dhe e shtatë, zhvillohet pothuajse në pjesën më të madhe të katundeve të përmendura me lart.

Kostumet janë një “status simbol” i ambientit shoqëror, ato i bashkojnë dhe i barazojnë njerëzit. Kukullat, modele në miniaturë, dëshmojnë kulturën arbëreshe.

Të skematizuara dhe të thjeshtësuara në përpunimin e tyre, ato i ofrojnë etnologut një fushë hulumtimi mbi veshjen e lashtë të shqiptarëve.

Veshja e gruas ka paraqitur në historinë e popullit tonë një element të krenarisë gjatë momenteve më të errëta të historisë.

Funksionet që bartin këto kostume janë të ndryshme dhe tregojnë rendin shoqëror, moshën, klasën, punën, zinë, përfaqësimin e besimit fetar si dhe faktin që një person është beqar apo i martuar.

Kukullat me veshje arbëreshe sjellin një imazh të paqes dhe vëllazërimit, të të dy popujve, brigjet e të cilëve lagen nga i njëjti det./ATA

Pin It