Shpresa të pafundme tek premtimi i Allahut

 

Arabët e konsideruan unanimisht Profetin Muhamed (a.s) si shembull të shkëlqyer për shoqërinë; një njeri që nuk gënjente, që ishte i besueshëm, i ndershëm dhe empatik. Profeti Muhamed (a.s) kishte pritshmëri specifike në lidhje me “dy qytetet”, Mekën dhe Taifin, se ato do ta pranonin thirrjen e tij dhe do të besonin dhe adhuronin Zotin e vetëm. Megjithatë, shumica e paganëve arabë patën një reagim krejt të ndryshëm. Ata e luftuan me mish e me shpirt mesazhin e Profetit a.s.

Allahu e urdhëroi Profetin (a.s) t’i ftonte njerëzit e Mekës që të besonin një Zot të vetëm. Ai e bëri këtë, por banorët e saj iu kundërvunë me çdo mënyrë, duke u shndërruar në një qytet gjithmonë e më të rrezikshëm ku Profeti (a.s) nuk kishte më asnjë mbështetje. Pa u dekurajuar, Profeti Muhamed (a.s) shkoi në Taif me shpresën që banorët e tij do ta mirëprisnin ftesën në monoteizëm. Nëse kjo do të ndodhte, ai do të mund të zhvendosej në një vend më të sigurt. Por rezultoi krejtësisht e kundërta. Ata nuk e pëlqyen aspak thirrjen e tij. Përkundrazi, nxitën të rinjtë e tyre që ta godisnin me gurë duke e lënë të gjakosur, ndërsa i drejtohej mureve rrethuese të qytetit për të dalë që aty.

I rraskapitur, i lënduar dhe i tronditur, Profeti (a.s) pa t’i mbyllej një tjetër derë m’u përpara syve, dhe kështu vendosi të kthehej sërish në Mekë. Gjatë rrugës, ai vendosi të pushonte nën hijen e pemëve të një kopështi privat.

Pronari i kopështit pa gjendjen e Profetit (a.s) dhe udhëroi shërbëtorin e tij, Adasin, që t’i çonte një pjatë me rrush. Profeti (a.s) filloi të hante duke thënë Bismilah (Me emrin e Allahut). I habitur, Adasi i tha: “Njerëzit e këtij qyteti nuk e përdorin këtë shprehje!” Profeti (a.s) iu përgjigj: “Nga cili qytet je ti Adas? Cila është feja jote?” Adasi u përgjigj: “Unë jam i krishterë nga qyteti i Nineveh.” Profeti (a.s) i tha: “Nga qyteti i njeriut të drejtë, Junusit, birit të Matas.” Adasi i habitur e pyeti, “Nga e njeh Junusin, djalin e Matas? Profeti (a.s) u përgjigj: “Ai është vëllai im. Ai ishte Profet dhe unë jam Profet.”

Biseda e Profetit Muhamed (a.s) me Adasin ishte tejet domethënëse. Allahu i tregoi Muhamedit (a.s) se pavarësisht refuzimit që populli i tij i bëri Junusit, qindra vjet më pas, ai ishte duke folur me një njeri që besonte tek Junusi dhe që vinte pikërisht nga qyteti që e dëboi atë.

Ja si e përshkruan Profeti (a.s) me fjalët e tij dëbimin nga Taifi:

“U largova, i kapluar nga tronditja dhe keqardhja, dhe u qetësova vetëm pasi u gjenda nën një pemë ku ngrita kokën lart drejt qiellit dhe pashë një re që bënte hije. Hodha shikimin dhe në të ishte ëngjëlli Xhebrail. Ai më tha: ‘Allahu e ka dëgjuar atë që njerëzit e tu të kanë thënë dhe si kanë reaguar ndaj teje, prandaj ka dërguar Ëngjëllin e Maleve që ta urdhërosh t’u bëjë këtyre njerëzve atë që ti dëshiron. Ëngjëlli i Maleve me përshëndeti dhe më tha: ‘O Muhamed, më urdhëro çfarë të duash, dhe unë mund t’i bëj malet të shemben mbi kryet e tyre.’ Profeti a.s tha: ‘Jo! Unë shpresoj se Allahu do të nxjerrë prej pasardhësve të tyre njerëz që adhurojnë vetëm Allahun pa i bërë shok atij.” [Buhariu]

Refuzimi i banorëve të Mekës dhe Taifit nuk e lëkundi aspak Profetin (a.s) nga misioni i tij, nga mbështetja tek Allahu dhe shpresa e pafundme tek premtimi i tij.

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It