Shqipëria i kërkon me “qiri”, investitorët vërshojnë në Maqedoni

Hidromas-Fabrika2-1024x665

Ndërsa në Shqipëri prej kohësh tashmë po mungojnë lajmet e kompanive të huaja që hapin njësi prodhuese (përveç shërbimeve Call Center), mediat në shtetit fqinj, Maqedoni, gëlojnë nga informacionet për kompani nga e gjithë bota që po vendosin filialet e tyre, duke përmendur shifra konkrete investimesh dhe vendesh pune të hapura.

Në fund të vitit të kaluar, kompania amerikane “Johnson Control”, njoftoi për hapjen e një fabrike të dytë, pas suksesit të asaj në Stip.

Fabrika e dytë e kompanisë, që në Maqedoni prodhon sedilje makinash, do të jetë në Strumica, me një investim prej 20 milionë dollarësh, që do të hapë 1500 vende të reja pune. Johnson Controls synon të punësojë 3,000 persona në fabrikën e Strumica në tre vitet në vijim.

Mësohet se Johnson Control ka ardhur dhe në Shqipëri, por deri tani investime konkrete ka pasur vetëm në Maqedoni.

Në 11 janar 2016, Reuters publikoi një artikull, sipas të cilit prodhuesi luksoz i makinave britanike “Aston Martin”, i cili është në process vendimmarrje se ku do të ndërtoje një fabrikë të re për të zgjeruar gamën e produkteve dhe të kthejë përfitueshmërinë, po merr në konsideratë një njësi në Maqedoni.

Në janar të këtij viti, mediat bënë të ditur se grupi indian do të vërë në punë ish fabrikën e Velesit “Porcelnaka”.

Investimi për përpunimin e produkteve të çelikut dhe pajisjeve të kuzhinës nga çeliku inoks llogaritet rreth 31 milion euro dhe duhet të sjellë rreth një mijë punësime të reja.

Po në janar, Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri dhe pronari i kompanisë italiane të ndërtimit “Kondote Italia” Duccio Astaldi, promovuan fillimin e punës së hidrocentralit të parë në Maqedoni, nga katër që po ndërton kjo kompani. Ministri Neziri tha se investimi arrin 19 milionë euro.

Në 26 janar u njoftua se Kompania belge për prodhimin e autobusëve “Van Holl” do të investojë edhe 15 milionë euro në kapacitetin e saj të përhershëm prodhues në “ZZHTI Shkup 1” në katër vitet e ardhshme dhe paralajmëroi hapje të 400 vendeve të reja shtesë të punës.

Në tetor të vitit të kaluar, telegrafi i Maqedonisë njoftoi se kompania amerikane “Lear” nga industria automobilistike filloi aktivitetet e veta në qytetin e Gostivarit.

Në mjediset e ish Universitetit “Fon”, në Gostivar tashmë kanë filluar përgatitjet e para, ndërsa do të punësohen rreth 800 persona.
Investimi është në nivelin e 15 milionë euro, me një objekt prej 11.0000 metra katrorë, dhe do të hapë 2000 vende të reja pune.

Në shtator 2015, Kompania gjermane “ODV-Elektrik” filloi ndërtimin e fabrikës në Zonën zhvillimore teknologjike industriale në Strugë, te fshati Misleshevë.

Me këtë investim të kompanisë gjermane pritet të hapen rreth 1.000 vende pune. Në fabrikë do të prodhohen instalime nga teli për industrinë automobilistike, të cilat do të dërgohen në tregjet evropiane.

Në korrik 2015 Kompania amerikane “Key Safety Systems” (KSS), njoftoi projektin investues për ndërtimin e fabrikës në TIRZ Kërçovë në fshatin Sërbjan.

Në fabrikën ku do të prodhohen jastëkë me ajër për makina është paralajmëruar investim prej 20 milionë eurosh dhe 800 vende pune.

Duket se Shqipëria do të vazhdojë të mbesë jashtë të gjitha këtyre Investimeve edhe për shumë kohë.

 

 

Pin It