Rreth 10% e popullsisë në vendin tonë kanë pasiguri të lartë në sigurimin e ushqimit të përditshëm

Prodhimi i brendshëm përbën një hallkë mjaft të fortë në stabilitetin  ekonomik të çdo vendi në botë. Nisur nga kjo, MapChart analizon të dhënat bazë të shteteve nga ku del në përfundimin se Shqipëria përfshihet në radhët e atyre vendeve me pa-mjaftueshmëri të prodhimeve vendase, pra nuk e përmbush nevojën për ushqime të përditshme të popullsisë, çka e detyron atë të importojë mallra nga vendet fqinje e më gjerë.

Në këtë studim të Map Chart, koncepti i vetë-mjaftueshmërisë përbën potencialin e një vendi për të prodhuar shumicën e ushqimive për konsum të brendshëm, pasi në një pjesë të mirë të rasteve edhe këto vende që futen në kategorinë e vetë-mjaftueshmërisë detyrohen të importojnë produkte apo mallra të cilat e kanë të pamundur zhvillimin në atë vend për shkak të kushteve klimaterike, pozicionimit gjeografik etj.

Në listën e këtyre vendeve MapChart përfshin: SHBA-në, Rusinë, Australinë, Argjentinën, dhe Malajzinë. Ndërsa Shqipëria, sipas raportit të fundit të kësaj agjencie, përfshihet në ato vende me pamundësi për të plotësuar edhe nevojat bazë të popullsisë.

Të njëjtën gjë e pohon edhe raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës, FAO, ku për vitin 2017 vlerëson se në vendin tonë rreth 10% e popullsisë kanë pasiguri të lartë në sigurimin e ushqimit të përditshëm.

Pin It