Tërmeti 6.3 ballë që goditi vendin në orët e para të mëngjesit të sotëm shkaktoi dëme të shumta në njerëz dhe materiale.
Deri më tani numri i personave që kanë humbur jetën sipas shifrave zyrtare është 13, ndërkohë që emergjencat civile dhe forcat e rendit po punojnë për të nxjerrë nga rrënojat të mbijetuar të tjerë. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm të plagosurish janë paraqitur drejt qendrave shëndetësore më të afërta, numër i cili po sipas të dhënave zyrtare llogaritet të jetë rreth 600 persona.
Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra larg nga Tirana. Si pasojë qindra pallate dhe ndërtesa mbetën të shembura apo të dëmtuara rëndë nga ky tërmet, kryesisht në Thumanë dhe qytetet e lartpërmendura.
Ndërkohë Kosova dhe vendet e tjera fqinje janë solidarizuar me ngjarjen duke nisur drejt vendit tonë ndihma të formave të ndryshme.
Në ndihmë të të prekurve nga tërmeti janë organizuar dhjetëra pika grumbullimi ndihmash në Durrës, Tiranë dhe qytetet e tjera.