“Shqipëria Vend i Bukur”, nën penelin e Pashk Përvathit

Piktori Pashk Përvathi ka çelur ekspozitën personale “Shqipëria Vend i Bukur” në Muzeun Historik  Kombëtar.

Në ekspozitë janë të ekspozuar 60 vepra në gjininë e  peizazhit.

Tematika e veprave është “Bukuria Shqiptare” e ardhur në këndvështrimin dhe penelatën e autorit Përvathi.

Në ekspozitë hasim vepra nga veriu në jug, nga alpet e veriut në bregdetin e Jonit, nga lagunat e Vainit e Divjakës në kodrinat e Vithkuqit e Leskovikut, nga pullazet e Beratit në ato të Gjirokastrës e Korçës, nga lumi i Erzenit në atë të Matit, nga vjeshta e Polenës në atë të Valbonës, nga liqeni i Shkodrës në atë të Pogradecit.

Sipas piktorit të njohur Pashk Përvathi në një farë mënyre kemi një Shqipëri në miniaturë e ardhur përmes ngjyrës.

“Veprat janë të gëzueshme dhe të realizuara direkt në plenerin e natyrës”, pohon piktori Përvathi.  Në vepra ndjehet dashuria e artistit për vendin e tij.

Veprat e ekspozitës janë realizuar në harkun e 5 viteve të fundit. Kjo është ekspozita e 39 e piktorit Pashk Përvathi .

Shqipëria në miniaturë e Pashk Pervathit, do të qëndrojë e hapur deri në datën 8 tetor në Muzeun Historik Kombëtar. /ATA/

Pin It