Shqiptarët në Itali, promovojnë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore

Diaspora shqiptare në Itali, Lidhja e tyre e Shkrimtarëve dhe artistëve si dhe shoqata të ndryshme, kryesisht ato të Veriut, organizuan një veprimtari të gjerë kulturore në Brescia.

Përmes letërsisë dhe muzikës, pikturave, fotografive, kostumeve popullore shqiptare dhe kuzhinës tradicionale, ky event kishte si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare.

Kryetari i Lidhjes së artistëve shqiptarë në Itali, Skënder Lazaj, dhe Kryetari i shoqatave shqiptare “InterAction”, Ardit Aliaj, hapën veprimtarinë duke shprehur besimin se do të vazhdohej kështu së bashku, më fuqishëm dhe më bukur.

Në fjalën e tij, i ngarkuar me punë i Shqipërisë në Vatikan, Visar Zhiti tha se “ju jeni përfaqësuesit kulturorë të vendit, ambasadorë të qytetarisë dhe të kulturës, që me punën dhe veprat tuaja, me familjet, me fëmijët nëpër shkolla dhe universitete, përcillni një imazh gjithnjë e më të mirë, që duke lartësuar veten, na lartësoni të gjithëve”.

Shqipëria po udhëton drejt ëndrrës Euro-Atlantike, theksoi Zhiti,  krah për krah me vendet e përparuara e ju jeni, në një fare mënyre, pararoja e këtij udhëtimi. Ecim përmes vështirësish e sakrificash, për të cilat edhe Papa Françesku ka folur, prandaj dhe i do shqiptarët e Shqipërinë.”

Shqiptarët marrin nga kultura europiane dhe e botës, por kanë shumë çfarë të japin. /ATA/

Pin It