“Shqiptarët shpëtojnë hebrejtë gjatë holokaustit”, filmi prezantohet në Pragë

Në vijim të promovimit të historisë dhe kulturës tradicionale shqiptare si dhe të prezantimit të kontibutit të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mjediset e ambasadës shqiptare në Pragë u organizua prezantimi i filmit dokumentar “Shqiptarët shpëtojnë hebrejtë gjatë holokaustit” në Luftën e Dytë Botërore.

Filmi dokumentar u ndoq me vëmendje dhe interes të veçantë nga përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe bashkëshortet e tyre, të ftuar me këtë rast.

I ftuar nderi ishte Ambasadori amerikan, Andrew Schapiro, me origjinë hebreje, njëkohësisht autor i një libri për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë botërore.

Përmes intervistave me hebrej, të strehuar e mbrojtur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, që aktualisht jetojnë në Izrael, SHBA e gjetkë, në dokumentar theksohet se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjë hebre nuk u dorëzua tek pushtuesit, asnjë hebre nuk u vra. Po kështu evidentohet fakti se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë, ku numri i hebrejve në përfundim të luftës u dhjetëfishua – nga 200 arriti në 2000 vetë.

Filmi përfundon me thënien biblike të Joanna Neuman, e cila i mbijetoi holokaustit pasi u mbrojt nga një familje shqiptare. “Nëse dikush shpëton një jetë njerëzore është njëlloj sikur të shpëtosh një popull të tërë. Fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e mi sot nuk do të ekzistonin, po të mos ishte familja shqiptare që na strehoi dhe na mbrojti.”

Të pranishmit mbetën të surprizuar nga kjo “mrekulli shqiptare” siç u shprehën shumë prej tyre, që as edhe një hebre i vetëm nuk iu dorëzua pushtuesve, të gjithë u shpëtuan. Ata vlerësuan kontibutin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ata theksuan se dokumentarë të tillë janë tepër aktualë dhe duhen bërë të njohur sa më shumë në Evropë e SHBA, pasi është i shumtë numri i atyre që nuk dinë asgjë për mrekullinë shqiptare të mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një kohë kur holokausti shfarosi miliona hebrej.

Të pranishmëve iu shpjegua, se gjithçka ka ndodhur në Shqipëri me hebrejtë gjatë periudhës së holokaustit të ndodhur në Evropë, për ne shqiptarët konsiderohet si një normalitet, si një gjë e zakonshme, bazuar në traditën shekullore shqiptare të “Besës”. Miku për shqiptarin ngrihet në nivelin më të lartë, i jepet strehë, ushqim dhe mbrojtje, fakt që koncentrohet në thënien e famshme se “shtëpia e shqiptarit i takon së pari Zotit, pastaj mikut”.

Prandaj çdo hebre u shpëtua, asnjë hebre nuk u dorëzua tek pushtuesi, pasi dorëzimi, e thënë shqip “prerja në besë e mikut” është një turp tepër i rëndë për shqiptarët në shekuj.

Në të njëjtën mënyrë vepruan shqiptarët, kur genocidi dhe përpjekjet për shfarosje etnike u rishfaqën në Evropën, pas më shumë se gjysmë shekulli, gjatë konfliktit në Kosovë. Shqiptarët përsëri hapën dyert e shtëpive dhe u dhanë strehë mbi gjysmë milioni kosovarëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Pas diskutimit të filmit, u promovua dhe libri i Ambasadorit Amerikan Andrew Schapiro me titull “Letters from Prague” që flet për jetën e familjes së tij (hebrej çekë) gjatë Luftës së Dytë Botërore./ATA/

Pin It