”Shumë zhurmë për asgjë” nga Shakespeare premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahovogli”

 

Në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahovogli” ngjitet premiera brilante nga William Shakespeare ”Shumë zhurmë për asgjë”.

Kjo premierë vjen nën regjinë e Carlo Sciaccaluga e ku do të interpretojnë aktorët Myzafer Zifla, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Alert Çeloaliaj, Genci Fuga, Gjergj Mena, Endri Çela, Alban Musa, Frençeska Hysi, Esela Pysqyli, Ina Morinaj.

Femra në një botë meshkujsh, ose meshkuj në një botë të  femrave. Përballja mes gjinive. Në sfond të një lufte  lumturisht të fituar, ushtarët fisnikë të Don Pjetrit të Aragonës, në kthim prej luftës, mbërrijnë zhurmshëm në shtëpinë e Leonatit, guvernatorit të Mesinës.

Eshtë një komedi,e nuk është e nevojshme t’a themi, mbaron mirë, por përplasjet janë të ashpra, dhe vetëm fal vullnetit dhe inteligjencës ngjarja nuk përfundon në tragjedi. Nëse qenia njerëzore është e gatshme të ndryshojë idetë apo ndjenjat e veta, dhe nuk i ngurtëson ato verbërisht, edhe fati më i trishtë mund të shndërrohet në gëzim. Dhe kjo është ajo c’ka bëjnë Benediku dhe Beatricja, njëri misogjen cinik, tjetra beqare profesioniste, armiq të përbetuar të martesës por që, përball fatit të tmerrshëm të dashurisë mes dy më të rinjve  Klaudit dhe Heros, zbulojnë se dashurojnë njëri tjetrin.  Braktisin rolin që vet e kishin krijuar, e që prej të cilit ishin burgosur.

Tema është e përjetshme: mashkulli ka nevojë për femrën dhe anasjelltas. Kjo dihet. Dhe dihet sa e veshtirë është ta gjejmë njëri tjetrin. Por ajo c’ka Shakespeare na thotë, ndoshta mbi të gjitha, në këtë komedi, është kjo : triumfi i qenies njerëzore arrihet kur i besojmë inteligjencës, fantazisë, lirisë së mendimit praktik. Ngurtësia është vdekje, dakortësia me vetveten përtej limiteve është shpesh edhe shenjë idiotësie. Në fakt, tragjedia rrëfen fatin e një individi të paaftë për të ndryshuar realitetin e tij, dhe arrin deri aty sa të shkaterrojë vetë botën në të cilën jeton, ndërsa komedia rrëfen fatin e një komuniteti që, duke ndryshuar, e përmirëson jetën për gjeneratat e ardhshme.

Duke filluar nga 7 dhe 8 Tetori, çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të diele ora 19:00 në Teatrin Kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli”. /ATA/

Pin It