Si mund ta kërkojmë natën e Kadrit?

 

Nata e Kadrit është një nga netët teke të dhjetë ditëshit të fundit të Ramazanit. Aishja (r.anha) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit thoshte: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.” [Buhariu (4/225) dhe Muslimi (1169)]

Aishja  (r.anha) ka thënë: “Kur fillonin dhjetë ditët (e fundit të Ramazanit), Pejgamberi (s.a.s) e shtrëngonte rrobën e tij (pra, largohej nga gratë e tij), e kalonte tërë natën zgjuar (në adhurim) dhe e zgjonte familjen e tij.” [Buhariu dhe Muslimi]

Është transmetuar nga Profeti (s.a.s) se ajo natë është nata e njëzetë e një, apo e njëzetë e tre, apo e njëzetë e pestë, apo e njëzetë e shtatë, apo e njëzetë e nëntë, apo nata e fundit e Ramazanit.

Nëse njeriu dobësohet dhe nuk mundet, së paku të mos dorëzohet në shtatë netët e fundit, për shkak të hadithit që është transmetuar nga Ibn Umeri i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni atë në dhjetëshin e fundit, e nëse dikush nga ju dobësohet apo i rëndohet gjendja, së paku të mos dorëzohet në shtatë të mbeturat.” [Buhariu (4/221) dhe Muslimi (1165)]

Po ashtu Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Po shoh se ëndrrat tuaja janë përputhur më njëra-tjetrën, kështu që kush dëshiron t’a kërkojë atë (natën e Kadrit), t’a kërkojë në shtatë netët e fundit (të Ramazanit).” [Buhariu]

I Dërguari i Allahut (s.a.s) e ka përshkruar me disa cilësi mëngjesin e natës së Kadrit, me qëllim që muslimani ta dijë se cila natë është ajo.

Transmeton Ubej (s.a.s) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mëngjesin e natës së Kadrit, dielli lind pa rrezatim, sikur të ishte tas, derisa të ngrihet lart.” [Muslimi]

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nata e Kadrit është natë bujare, e lirshme, as e nxehtë e as e ftohtë. Në mëngjesin e saj dielli lind i dobët dhe me ngjyrë të kuqe.” [Ibn Huzejme, Bezari]

 

Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a, se Pejgamberi (s.a.s) ka thënë: “Nata e Kadrit është nata e njëzet e shtatë apo njëzet e nëntë, melaiket në atë natë janë në tokë më shumë se numri i guralecave…” [Ahmed ibn Hanbel, Ibn Huzejme].

 

Pin It