Strehimi, 1 milion dollarë për kreditë e buta në 2017

banesatsociale-905x395

Buxheti i vitit 2017 në Bashkinë e Tiranës do të rezervojë 1 milion dollarë për strehimin. Shuma do të jepet për zbutjen e kredive të marra nga familjet e reja për blerjen e apartamenteve të banimit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Strehim për të gjithë”, gjatë së cilës deklaroi se çështja e strehimit prek 1/3 e zonës urbane dhe është me rëndësi për daljen nga varfëria.

Veliaj tha se po punohet për zgjidhjen e problemit të strehimit përmes partneritetit publik-privat, i cili synon të sigurojë një infrastrukturë më të mirë urbane dhe kredi të buta. Ai shtoi se ndërtuesit do të ofrojnë banesa sociale, ndërsa Bashkia do të ofrojë tokë për ndërtimin e këtyre banesave.

“Strehimi është paja dhe investimi më i mirë për të dalë nga varfëria. Ne po eksplorojmë disa opsione si marrëdhënia partneritet publik privat. Ne ofrojmë tokë për ndërtim banesash sociale. Dua të theksoj se strehimi dinjitoz është bileta për të dalë nga varfëria”, – tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë theksoi se në tetor do të kalojë plani i ri urbanistik dhe se buxheti prej 1 milion dollarësh do të nxisë sektorin bankar të gjenerojë 60 milion euro kredi të buta për blerjen e shtëpive në Tiranë.

“Sektori i ndërtimit do ketë zhdërvjelltësim dhe kështu hapim vende të reja pune. Ndërtuesit do të duhet të lënë apartamente për banesa sociale për integrimin e kësaj kategorie personash. Nga ana tjetër do vijojmë me kreditë e buta për çiftet e reja në Tiranë. Çështja e strehimit nuk duhet të jetë më problem”, – u shpreh Veliaj.

Pin It