Tabloja e harmonisë…

Ndjenja e adhurimit tek njeriu është një veçori që e shtyn njeriun ta njohë Zotin. Nga njëra anë, njeriu sheh pamje e tablo që do të shërbenin si argument i ekzistencës së Individualitetit që ka krijuar këtë gjithësi të shkëlqyer, për shembull, tablo të rregullit e të harmonisë së gjërave. Pastaj njeriu kalon, hyn në rregullsinë e përgjithshme të të Zotit të rregullsisë, i cili e ka krijuar këtë rregullsi të përsosur.

Nëse njeriu do të vihej ta vëzhgonte gjithësinë në aspektin e bukurisë e të estetikës së saj, do ta gjente aq të bukur e të mrekullueshme, sa që do të mendonte se do të ishte e pamundur të përfytyrohej më e bukur. Nga fytyra e njeriut te faqja e tokës e që aty te pamja e stolisur me yje e qiellit ka një të tillë bukuri magjepsëse, një paraqitje të tillë marramendëse dhe një të tillë shprehje të ëmbël që e huton njeriun, sa që është e pamundur që, duke parë këto përvijime, këtë shumëllojshmëri ngjyrash e këtë harmoni, të mos e shohësh dhe gjesh Individualitetin që e ka shpalosur këtë ekspozim enigmatik e të shkëlqyer…

Pin It