Të stolisesh me butësinë…

Butësia nënkupton të sillesh butë përmes të folurit dhe të vepruarit, të tregohesh i butë në përzgjedhjen e metodës, fjalëve, mënyrës së të vepruarit me të tjerët, lënies së sharjes, ashpërsisë dhe vrazhdësisë si dhe marrjes në konsideratë të tolerancës dhe lehtësimit. Butësia në përgjithësi hyn në çdo gjë, në raportet që njeriu ka me veten e tij, familjarët e tij, të afërmit e tij, shokët e tij dhe këdo që është bashkë-pjesëmarrës me të në dobi apo fqinjësi, madje edhe me armiqtë dhe kundërshtarët e tij. Ky moral përfshin çdo situatë dhe çështje që përkojnë me të.

Përdorimi i butësisë në kryerjen e çështjeve shpie në rezultatet më të arrira dhe përvijimet më të mira, pasi Allahu i Madhëruar e begaton këtë sjellje dhe bën dobi me të. Ndërsa përdorimi i dhunës, ashpërsisë dhe vrazhdësisë, i prish gjërat, ua vështirëson ato realizuesve të tyre dhe jep rezultate të kundërta, mirësia privohet kur lihet pas dore butësia, bereqeti largohet dhe çështja komplikohet. I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kush privohet prej butësisë, privohet prej mirësisë në tërësi”. Gjithashtu ai a.s. ka thënë: “Allahu është i Butë, e dëshiron butësinë, jep për butësinë atë që nuk e jep për dhunën dhe atë që nuk e jep për diç tjetër veç saj (butësisë)”.

Po kështu butësia ka një ndikim të mirë në lidhjen midis zemrave, pajtimin midis palëve të grindura, udhëzimin dhe ndjelljen e jobesimtarëve në Islam si dhe begatinë në furnizim dhe jetë, gjë në lidhje me të cilën Profeti a.s. ka thënë: “Atij që i është dhënë hisja e tij e butësisë, i është dhënë në fakt hisja e tij nga mirësia e dynjasë dhe amshimit. Lidhja me gjakun, morali i hijshëm dhe fqinjësia e hijshme i gjallojnë shtëpitë dhe u japin shumë të mira jetëve”.

Burrëria dhe personaliteti nuk qëndrojnë në lënien pas të butësisë dhe përdorimin e dhunës dhe ashpërsisë, në të gjitha situatat. Gabon ai që mendon se përdorimi i butësisë ia pakëson vlerën njeriut apo se e tillë gjë është shenjë dobësie e njeriut dhe e molisjes së tij në kërkim të të drejtave që i takojnë. Ky kuptim është i gabuar dhe është trashëguar nga injoranca; pasi lënia e butësisë nuk kërkon të braktiset kërkimi i të drejtës apo të heshtet karshi të kotës, t’i bëhen lajkatime asaj apo të bëhen lëshime karshi të drejtave; porse ajo që presupozohet është përdorimi i butësisë vetëm në metodë dhe mënyrë, jo në kontekst dhe përmbajtje. Njeriu i butë e kërkon të drejtën e tij, e sqaron normën legjislative, urdhëron në të mirë, e disiplinon atë që ka nën vartësinë e tij dhe ndërvepron me njerëzit, por këtë gjë e vepron duke u sjell butësisht dhe me delikatesë. Në këtë kontekst Allahu i Lartësuar ka thënë: “Shkoni [ti Musa dhe ti Harun] te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet! [Surja Taha, ajetet: 43-44].

Është fakt se Profeti a.s. erdhi tek njerëzimi për dëlirjen e unit nga moralet e ulëta dhe nxiti tek ai moralet e hijshme. Prej moraleve më madhështor për të cilat ka porositur Profeti a.s. është morali i butësisë; ky moral i lartë që i vendos gjërat aty ku u takon, i korrigjon gabimet, i mirë-orienton sjelljet dhe udhëzon tek vlerat, falë brishtësisë shprehëse, orientimit të hijshëm dhe metodologjisë ndikuese që buron nga ky moral.

Profeti a.s. e spikati shumë këtë moral, duke thënë: “Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë”. Në “Sahihu Muslim”, nga Aishja r.a. vjen se Profeti a.s. ka thënë: “Fakt është se butësia nuk gjendet tek një gjë përveçse e stolis atë dhe nuk shkulet prej një gjëje përveçse e zhvlerëson atë”.

 

Pin It