- Kur i Dërguari i Allahut (a.s.) na tregon diçka, na fokuson në një qëllim të lartë. Na shpjegon se Xheneti është njëqind gradë dhe se grada më e lartë e tij është Xheneti Firdeus dhe thotë se: “Kur të kërkoni Xhenetin nga Allahu Teala, kërkoni Xhenetin Firdeus” [Buhari, xhihad 4; Tirmidhi, xhennet 4; Ibni Maxhe, zuhd 39] duke na bërë të ditur që qëllimi ynë të jetë gjithmonë shumë i lartë. Për më tepër, përveç kërkimit të Firdeusit, na mëson edhe me dua të posaçme se si ta kërkojmë atë. Prej duave të tij, mësojmë edhe gradën më të lartë të kërkesave siç thotë: “O Allah! Na e mbush brendësinë tonë me dëshirën për të parë Bukurinë Tënde. Na emociono zemrën tonë me dëshirën për të ardhur tek Ti dhe na ndero neve me shikimin e bukurisë Tënde”, në këtë mënyrë tregojmë që jemi kërkues të kënaqësisë Hyjnore. Këto dua që na mëson profeti ynë, na orientojnë të jemi kërkues të më së mirës dhe më së lartës. Gjithashtu, duhet të sillemi qëllimlartë edhe në pikën e kuptimit të namazit. Duhet vazhdimisht t`i kërkojmë vetes të jetë nën gjurmët e namazeve të selefëve (të parëve tanë) dhe vazhdimisht të kërkojmë nga Allahu mbështetjen e Tij për të falur namazin me vetëdije të plotë. Ndoshta secili prej nesh do ishte mirë të thoshte në këtë mënyrë: “O Allah! Më jep të njëjtën ndjesi, kuptim dhe vetëdije namazi, siç ia ke dhënë të Dërguarit Tënd (a.s.). Më bëj që edhe shpirti im të kuptojë namazin siç duhet. Zoti im! Edhe unë dua të falem si Profeti im dhe ta ndjej namazin deri në qelizat më të thella të qenies sime. Dua që asgjë tjetër të mos më hyjë në mëndje përveç Teje. Të lutem Ty, o Allah, ma mundëso këtë edhe mua!..”
Të kërkosh një horizont profetik të tillë namazi, nuk do të thotë se kërkon profetësinë. Siç kërkojmë që ta marrim shembull në çdo gjë të jetës Profetin tonë, ashtu kërkojmë edhe në këtë pikë. Kjo lloj duaje asnjëherë nuk shkon kot. Nëse jeni këmbëngulës dhe e keni me dëshirë këtë dua, Allahu nuk u mban larg kësaj mirësie. Me dëshirën e Allahut, arrini ta merrni atë që kërkoni. Nëse ju bëni një dua të tillë, edhe Allahu i Lartmadhëruar, Mbreti i Përjetshëm, u jep nga Mëshira e Tij e pafund ashtu siç i ka hije Madhështisë së Tij. E pra, të bëhesh njësh me të lartën, të synosh gjithmonë sipër, është përkthimi në vepra i qëllimeve të larta. Edhe në faljen e namazit, njeriu duhet të synojë gjithmonë lart e më lart.
- Dëshira për të kryer faljen e namazit në nivelet e duhura, kërkon një lloj duaje (lutje) të bërë me gjuhë dhe me vepra. Duaja me vepra në këtë rast, bëhet duke lexuar vepra të ndryshme të shkruara në këtë fushë. Nuk mund të quhet i sinqertë ai që dëshiron të arrijë një nivel të lartë në namaz, por që nuk ka lexuar diçka të shkruar rreth kësaj, as nuk ka dëgjuar të mëdhenjtë se ç`thonë dhe as nuk është interesuar ndonjëherë të hedhë një hap përpara. Kështu që, udhëtari i namazit, nuk duhet të neglizhojë pa lexuar, studiuar e medituar mirë mbi artikujt, apo librat e dijetarëve të mëdhenj, të cilët me përjetimet dhe eksperiencat e tyre, spërkasin në zemrat e lexuesve dashurinë për adhurime, i shëtisin ata nëpër atmosferat e veçanta të namazit dhe i ngopin ndjenjat e tyre.
Një besimtar, sado pak, duhet të mundohet t`i hedhë sy disa herë veprave të shkruara rreth të vërtetave të të Vërtetit, rreth bazave të besimit dhe rreth kuptimeve të adhurimit. Të lexohen mirë dhe të diskutohen veprat e dijetarëve të mëdhenj të Kur`anit dhe krahas këtyre, edhe veprat e atyre, që mundohen të shkruajnë rreth namazit në ditët tona.
- Të tregohesh këmbëngulës në duatë me vepra dhe me fjalë, të jesh i vendosur dhe i vazhdueshëm në atë që kërkon dhe të ecësh drejt qëllimit tënd pa u pezmatuar aspak, me një durim aktiv, janë kushte të tjera të rëndësishme për të arritur qëllimin. Sevdaja për namazin, nuk pikon menjëherë në zemrën e kërkuesit. Kjo mungesë dëshire apo dashurie, mund të zgjasë disa ditë, disa muaj ose edhe disa vite. Prandaj, është shumë e rëndësishme të plotësosh të gjitha kushtet e duhura dhe të vazhdosh me të njëjtin zell deri në fund.
Nëse pretendoni të bëheni hero i namazit, nuk duhet të lini pas dore as mënyrën më të vogël, që mund t`ju çojë drejt këtij synimi. Nëse ju vjen diçka që ua ndez dashurinë në zemër, mos u mjaftoni duke e bërë vetëm një herë të vetme, por ta vazhdoni qindra herë. Ndoshta do ju duhet ta lexoni mbi dhjetë herë një libër, ta dëgjoni mbi qindra herë një ligjëratë, të mbani vath në vesh vazhdimisht fjalët e një të dituri për këtë çështje. Kurrë mos u dorëzoni duke thënë “nuk bëhet” dhe mos jini të nxituar. Nuk duhet të harroni se në këtë rrugë, për vite me radhë do të përplaseni nëpër shkëmbinj, do të gurgulloni si ujërat, por çdo herë do të jeni edhe më të pastruar dhe më në fund do t`ia arrini qëllimit.
Burimi: zaninalte.al