Divjakë, Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunorë

1436216737pelikanet

Jemi në dimër dhe stina e ngrohtë është ende larg, por kjo nuk pengon turistët e vëzhgimit të udhëtojnë drejt Parkut Natyror të Divjakës.

Edhe në këtë stinë disi të ftohtë, vizitorët nuk mungojnë ashtu si dhe spetakli i shpendëve ujorë nuk mungon.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunore tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë mbetet Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë me dhjetra vizitorë vendas e të huaj vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit në këtë park të mbrojtur më së miri.

Objektivi kryesor është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm ai, janë edhe shpendë të tjerë të shumtë deri tek mjelmat ose flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla dhe buajtë e zinj, si një specie që preku çastin e zhdukjes para disa viteve, por që falë kujdesit dhe përkushtimit  të blegtorëve vendas, mundi të shpëtonte si një specie e rrallë e zonës.

Tashmë vizitorët nuk janë kurioze të shlodhen në lokalet në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër.

Zbatimi i moratoriumit që ndalon gjuetinë edhe në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së egër.

Por, një vlerësim optimal duhet bërë edhe për Drejtorinë Pyjore të Lushnjes dhe drejtorin e saj, Ardian Koçi, që kanë punuar me përkushtim për ta kthyer Parkun edhe në një atraksion turistik.

Flamingot dhe pelikanët kaçurrelë që popullojnë lagunën e Karavastasë po tërheqin më në fund  edhe vëmendjen e mediave botërore dhe të turistëve të natyrës së egër.

Pelikanët kanë qenë të rrezikuar në të gjithë botën përgjatë dekadave të fundit për shkak të perceptimit se ata konkurojnë me njerëzit për peshkim nëpër lagunat e pasura, një perceptim ky që hidhet poshtë nga shkenca biologjike, e cila thotë se në fakt, llojet e peshqeve të pëlqyer nga pelikanët janë të ndryshëm nga ata që peshkohen nga njerëzit.

Këta shpende të mëdhenj, krijojnë një emocion të veçantë te shikuesi kur ngrihen në fluturim.

Me përmasa nga 160 deri në 190 centimetra dhe me hapje krahësh mbi tre metra, ky është një nga zogjtë më të mëdhenj në botë.

Pelikanët shqiptarë ishin pothuajse drejt zhdukjes në vitet 1990, por janë rigjallëruar si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme të
konservacionistëve për të shpëtuar grupimin e vogël që numëron vetëm disa dhjetëra të tillë.

Çdo fundjavë vizitorë të shumtë popullojnë Parkun e Divjakës, ku objekt bëhet vëzhgimi i shpendëve të shumtë e të veçantë që popullojnë këtë lagunë.

Mbase ka ardhur koha që ministria e Turizmit të shikoje edhe nga “turizmi i vëzhgimit”, si një aset tjetër në turizmin shqiptar.

Një vend me hapësira të mëdha natyrore dhe me një biodiversitet të veçantë, vendi ynë mund të bëhet mjaft tërheqës edhe për turizmin e vëzhgimit.

Zogjte në këtë lagunë, çdo mëngjes apo mbrëmje, krijojnë spetakle dhe figura të çuditëshme e befasuese.

Ja vlen një fundjavë në Divjakë edhe tani në dimër…

Pin It