Udhëtar drejt të Vërtetës…

Udhëtari për tek e Vërteta e gjen veten çdo çast, nën krahët e një adhurimi suplementar të veçantë, në një korridor të ri që zgjatet drejt pafundësisë, e ndjen se ka arritur një meritim të ri dhe bëhet më kërkues për të kryer adhurime të detyrueshme dhe më dëshirues ndaj adhurimeve suplementare. Çdo shpirt që ka arritur këtë pikë dhe këtë kuptim, e ndjen edhe se Allahu e do dhe, siç shprehet në një hadith të shenjtë, tashmë ai nis të dëgjojë, të shohë, të prekë, të ecë drejtpërdrejt në kushtet e po­saçmërisë së afërsisë hyjnore. Nga një aspekt, kjo është edhe intuita e njohjes së Zotit. Ky është niveli ku njohja bëhet një me njohësin dhe kthehet në natyrë të tij dhe ku çdo gjendje e njohësit bëhet interpret i gjësë së njohur. Ka pasur njerëz që e kanë përkufizuar “marifetin” (intuitën e njohjes së Zotit) si zbu­lim dhe zhvillim të informacionit ndërgjegjësor, i cili, në të njëj­tën kohë, konsiderohet edhe si zbulim dhe zhvillim i njeriut me vlera që janë të posaçme për të. Kjo duhet të jetë edhe një for­më e shprehjes “kush njeh vetveten, njeh Zotin”!

Pin It