Urtësitë e ditëve dhe netëve të mira

Njeriu në jetën e tij herë pas here hyn në një proces ndryshimi. Dhe është tepër e rëndësishme që drejtimi i këtij ndryshimi të kthehet kah e mira, e dobishmja dhe e drejta. Ja, pikërisht ditët dhe netët e mira na hapin dyert dhe na ndihmojnë duke u bërë pretekste për një ndryshim pozitiv në jetën tonë.

Ditët dhe netët e shënuara në fenë Islame janë kohë shumë të begata, ku dhuntitë dhe dhuratat hyjnore shfaqen në sasinë më të madhe nga ana ideore dhe shpirtërore. Entuziazmi ideor dhe shpirtëror i ditëve dhe netëve të mrekullueshme që shtrihen si rrugëlidhje, porta apo katapulta, të cilat formojnë tek njeriu një ndjesi krejt ndryshe, i bashkon e i bën një myslimanët. Shpirti rreh krahët më ndryshe përtej përjetësisë, çdo gjë futet në sinfoninë e gjatë të jetës së universit, gjokset i pushton një fëshkërimë lutjesh dhe kërkesash, që nuk mund të shprehen dot me gjuhën tonë të varfër.

Për çdo sëmundje apo dhembje që mund të kemi në trupin tonë, ne menjëherë interesohemi dhe shkojmë për vizitë tek mjeku. A nuk është e drejtë të përpiqemi me po aq forcë për të shpëtuar nga gjynahet që na errësojnë botën, na ngushtojnë shpirtin dhe na hapin plagë në zemër? Nëse jemi të bindur për këtë, atëherë le të mendojmë pak ç’mund të bëjmë! Përpjekja për të shpëtuar nga gjynahet në literaturën Islame e merr emrin teube dhe istigfar (pendim dhe falje). Ky veprim përveç se bëhet me gjuhë dhe me zemër, ka edhe disa kohë të veçanta ku fokusimi është akoma më i madh dhe më i përshtatshëm. Ne e dimë se falje mund të kërkohet në çdo kohë, por ekzistojnë disa intervale kohore në të cilat ne e kemi më të lehtë të fokusohemi me gjithë shpirtin tonë. Këto kohë janë pikërisht ditët dhe netët e mira, në të cilat ne kemi mundësinë të drejtohemi të vetëdijshëm në maksimum drejt faljes. Ky është vërtet një rast mjaft i volitshëm për të gjithë besimtarët myslimanë, që të largohen nga gjynahet dhe të hedhin hapa të rëndësishëm drejt mirësive. Ato kohë janë me të vërtetë momente mjaft të vyera për njeriun, sepse gjen rastin për t’iu lutur Zotit më afër, e përmend Atë dhe kërkon falje për gjynahet, që i kanë shkatërruar qetësinë shpirtërore. Kështu, ditët dhe netët e mira janë për ne si doktorët më të mirë që mjekojnë me ilaçet e tyre shpirtërore, shpirtin  tonë.

Allahu i Lartë ndër muajt, ka zgjedhur muajin e Ramazanit, ndër netët, natën e Kadrit, ndër vendet Mekën, ndër njerëzit Hz. Muhamedin (a.s.) dhe ndër ditët, ditën e Xhuma.

Ndër zakonet dhe traditat e bukura fetare të popullit tonë janë edhe vizitat që u bëhen në këto kohë të afërmëve, fqinjve, të sëmurëve apo shoqërisë duke i uruar dhe i kujtuar ato me ëmbëlsirat e porositur posaçërisht për këtë rast. Ndër këto tradita të fisshme është edhe ndriçimi si asnjëherë tjetër i xhamive, këndimi në xhamia i pjesëve të zgjedhura të Kur’anit për publikun, daullet që bien për njoftimin e këtyre ditëve dhe netëve, etj.

Vlerat dhe përparësitë e ditëve dhe netëve të mira ndaj ditëve dhe netëve të tjera të zakonshme janë të shumta. Ka shumë rëndësi që në këto ditë dhe netë, besimtari të jetë i ndërgjegjshëm dhe t’i kalojë ato me adhurim e lutje. Adhurimi dhe lutja e bërë në këto kohë, bëhet shkak për më shumë mirësi, gjë që u jep atyre një vlerë të veçantë. Nga ana tjetër duhet te theksohet se një ndërgjegje të tillë ndaj Allahut, Krijuesit të gjithësisë, besimtari duhet të përpiqet ta gjejë në çdo ditë apo natë të jetës së tij.

Pin It