Dita e Premte është mjaft e rëndësishme për besimtarët myslimanë, ajo përmendet edhe në Kur’an. Në këtë ditë është një orë, dhe kush e kap atë orë duke iu lutur Allahut, ai njeri ka shpëtuar (dhe do të arrijë atë që ka kërkuar).
Adhurimi dhe tradita e Profetit (a.s.) është shkuarja herët në xhami në ditën e Premte (Xhuma).
Namazi i ditës së Premte ka një shpërblim të madh. Cilido nga besimtarët, duke e besuar për sevapet e tij, merr gusël (lan të gjithë trupin), vishet me kujdes dhe fal namazin e ditës së Premte, lartësohet me vlerat e kësaj dite të bekuar…
Dihet se në ditën e premte (xhuma) i dërguari i zotit i ka kërkuar shokëve të tij që ti çojnë shumë salavate pasi pikërisht në këtë ditë ato i shkojnë edhe të dërguarit të zotit.
Allahu nga mirësia e Tij na e ka dhuruar këtë ditë. Ai i ka zbritur umetit të Muhamedit (a.s.) një sure në Kur’an (Sure Xhumua – Kaptina 62), ku besimtarët porositen të braktisin të gjitha punët e tjera kur thirret ezani i Xhumasë, të shkojnë në falje e të mos i preokupojë ndonjë tregti apo ndonjë punë tjetër.
Transmetohet nga Aliu (r.a.) se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Ditën e Premte, në derën e çdo xhamie ulen shtatëdhjetë engjëj. Ata shkruajnë emrat e atyre që hyjnë në xhami. Më në fund, kur imami ulet në minber, në xhami futet edhe njeriu i fundit, që ulet pa shqetësuar askënd dhe pa i folur askujt. Ky njeri, do të marrë më pak shpërblime nga të gjithë të tjerët që e falën namazin e së Premtes. Megjithatë, atij do t’i falen mëkatet që ka bërë nga namazi i së Premtes së shkuar e deri në namazin e së Premtes që fali së fundi. Nëse ai që vjen më vonë në namazin e së Premtes, merr kaq sevape, llogarit sa sevape do të marrë ai që vjen herët për ta falur këtë namaz.”
Këto janë vetëm pak nga virtytet që kjo ditë ka për myslimanët.