Vlerësohet me titullin “Naim Frashëri”, violinistja shqiptare me famë botërore Ervis Gega

Pas dekorimit me titullin e lartë “Naim Frashëri”, violinistja  e shquar shqiptare me famë botërore, Ervis Gega e ka konsideruar atë vlerësim të madh nga vendi ku ajo hodhi themelet e mjeshtërisë së violinës.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, violinistja e shquar Gega është shprehur lidhur me titullin dhënë disa ditë më parë nga presidenti Ilir Meta në një ceremoni të veçantë.

“Titujt dhe medaljet janë simbolika, të rëndësishme për të fiksuar arritjet. Por, mua në thelb ajo që më bën të lumtur është që vlerësimin e lartë ma jep vendi ku kam lindur dhe ku u hodhën themelet e mjeshtërisë së violinës për mua. Unë e ndiej si vlerësim jo vetëm për vete, por si vlerësim për atë punë vetëmohuese dhe jo gjithmonë të shpërblyer sa duhet të njerëzve të artit, të shqiptarëve artistë”, u shpreh ajo.

Për të, ky dekorim përbën edhe një falënderim për të gjithë artistët e tjerë.

” Edhe nëse mundësitë për ta mbështetur artin në Shqipëri nuk janë konsumuar, edhe nëse arti e kultura mund të jenë edhe më prioritarë, ky dekorim për mua është falënderim i madh për artistët. Ndihem krenare dhe e lumtur dhe falënderoj sinqerisht presidentin e Shqipërisë, zotin Ilir Meta për këtë vlerësim të lartë”.

Violinistja Gega ka performuar në skenat më prestigjioze të Gjermanisë dhe të botës, si dhe ka karrierë shumë të suksesshme artistike si Koncert-maestre e parë e Filarmonisë së Bonn-it. z.tosku/ ATA/

Pin It