Zëri i ëmbël i Hz. Bilalit

Bilal ibn Rabah lindi si biri i një skllavi etiopian të quajtur Rabah. Për shkak të lëkurës me ngjyrë të zezë, ndonjëherë thirrej edhe si Bilal al-Habeshi (etiopiani). Kur ishte fëmijë, ai iu shit si skllav Umaja bin Khalaf bin Safuanit, njërit prej prijësve të Kurejshëve, kryetar i fisit Beni Xhuma dhe besimtar i paepur në adhurimin e idhujve. Kur Profeti Muhamed filloi të predikonte mesazhin e njëshmërisë së Allahut (teuhidin), shumë njerëz u ballafaquan me vuajtje për shkak se zgjodhën të përqafonin Islamin në vend të adhurimit të idhujve, ndër ta ishte edhe Hz. Bilal (r.a).

Fjalët e Profetit a.s depërtuan në zemrën e Bilalit dhe ai u bë menjëherë musliman. Nuk kishte rëndësi nëse ishte ky apo jo çasti i duhur; as vlerësim të dobive dhe dëmeve që deklarimi i shehadetit mund të sillte në jetën e tij. Bilali kuptoi që tek ky mesazhi do të gjente paqe shpirtërore, përgjigjen e dëshirave të zemrës së tij. Dhe pas kësaj, ai u torturua shumë ashpër prej pronarit të tij.

Bilalin e bleu nga Umaja pikërisht Ebu Bekri që me pas e la të lirë. Islami e bëri atë njeri të lirë. Pjesën e mbetur të jetës, ai ia kushtoi çdo frymëmarrje dhe energji të trupit të tij shërbimit ndaj Islamit, duke qëndruar përkrah Profetit (a.s). Ai u bë shoqërues dhe ruajtës i Profetit a.s, prandaj ishte përkrah tij në çdo çast.

Bilali r.a kishte edhe një veçori tjetër. Jo vetëm që ishte gjithmonë përkrah Profetit a.s, por ai u zgjodh nga Profeti si njeriu i parë për të thirrur ezanin (thirrja për falje që kryhet 5 herë në ditë), pasi kjo thirrje i ishte shpallur në ëndërr Abdullah ibn Zeidit, ishte konfirmuar nga Umeri dhe ishte aprovuar nga Profeti (a.s) si udhëzim prej Allahut. Bilali u zgjodh të thërriste ezanin sepse zëri i tij ishte i fortë dhe shumë i ëmbël. Ai ngjitej në majë të çatisë së xhamisë në Medine dhe thërriste ezanin.

Historia e Bilalit (r.a) është dëshmi e asaj që na mësoi Profeti (a.s). Nuk është statusi social, hierarkia apo shkollimi që e bën një njëri më të mirë se tjetrin, por devotshmëria.

Pin It