28 Nëntori në Kosovë, mesazhe nderimi për të shkuarën dhe angazhimi për të ardhmen

kosove

28 Nëntori është përkujtuar si çdo herë edhe në Kosovë, ku Prishtina dhe qytetet e tjera janë veshur kuqezi, ndërsa sheshet janë mbushur me aktivitete e festime.

Në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është hapur panairi i përbashkët “Blej Shqip”, ku prezantohen rreth 100 biznese nga të gjitha trevat shqiptare. Ky panair synon të promovojë produktet shqiptare e të rrisë shkëmbimet tregtare mes Kosovës e Shqipërisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, uroi festën, duke theksuar rolin e flamurit kuqezi si burim i pashtershëm frymëzimi në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Thaçi tha se është krenari që sot ky flamur valëvitet në më shumë toka shqiptare.

“Flamuri kuqezi ka qenë gjithmonë në zemrat tona si burim i pashtershëm frymëzimi. Më bën të lumtur dhe krenar kur sot e shoh që valëvitet i lirë dhe në më shumë toka se kurdoherë më parë. Sot, krenaria është më e madhe se dhimbja për heronjtë tanë, për dëshmorët e martirët,” shkruan Thaçi në Facebook.

Thaçi bëri homazhe tek varri i Presidentit Ibrahim Rugova, vizitoi kompleksin e Jasharajve në Prekaz nga ku përcolli mesazhin e bashkimit dhe punës së përbashkët.

Edhe kryeministri Isa Mustafa uroi gjithë shqiptarët përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Të dashur bashkëkombas, Urime 28 Nëntori, Dita e Flamurit! Të gjithë ne sot ndjehemi Një, të fortë por edhe përgjegjës për ndërtimin dhe zhvillimin e shteteve dhe vendeve tona, gjithandej ku jemi”, ka shkruar Mustafa.

Urime iu është bashkuar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, i cili iu bëri thirrje gjithë shqiptarëve ta ndërtojnë jetën në trojet shqiptare dhe jo në vend të huaj.

Pin It