5 mln lekë të reja për radiografinë tek Dispanceria, ulen çmimet e ekzaminimeve

DSC_2900

Qëndra e vetme shëndetësore me shërbim të specializuar ambulator për të gjithë të sëmurët me probleme në mushkëri në Tiranë është pajisur tashmë me një aparat të ri të radiografisë televizive. Numri i pacientëve që marrin shërbimin shëndetësor në Qendrën Shëndetësore nr. 4, ose siç njihet ndryshe, Dispanceria, është rritur shumë, duke shkuar në rreth 35 mijë ekzaminime në vit.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, zhvilloi sot në këtë qendër shëndetësore, ku u takua me mjekë, infermierë e punonjës të këtij institucioni, si dhe qytetarë që marrin shërbimin shëndetësor në këtë qendër.

“Ky është një investim i rëndësishëm për këtë qendër shëndetësore, me një vlerë prej 5 milion lekësh të reja për blerjen e pajisjes së aparatit të radiografisë. Aparati i radiografisë ishte një pajisje e vjetër e cila bënte ekzaminimet të një cilësie shumë të dobët. Tashmë, kemi këtë pajisje shumë më të re, mjekët u shërbejnë shumë më mirë dhe shumë më shpejt pacientëve, reduktojmë flukset për në Spitalin Universitar ‘Shefqet Ndroqi’ dhe sigurisht angazhimet e marra për të ofruar shërbim pa pagesë”, tha Beqaj.

Drejtuesja e kësaj QSH-je, Entela Nako, u shpreh se kjo pajisje do ta rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve, ndërkohë që theksoi: “Konsultat dhe vizitat tek ne janë tashmë edhe më lirë për personat e pasiguruar. Nëse deri më dje do të paguanin 2000 lekë, me tarifat e reja këta pacientë do të paguajnë vetëm 100 lekë, sigurisht duke zbatuar sistemin e referimit. Edhe pagesa për ekzaminimin radiologjik ka pësuar ulje në 100 lekë nga 500 që ka qenë më parë”.

Pin It