Kënd lojërash për 200 mijë fëmijët e Tiranës

veliaj-inspektim

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka sqaruar projektin tek parku i Liqenit Artificial, ku theksoi se ai është një projekt për një kënd lojërash për 200 mijë fëmijët e Tiranës. “Më vjen shumë mirë që sot fillojmë punimet e këndit të lojërave për fëmijë në parkun e Liqenit.

Është një ndër 10 ndërhyrjet që e bën liqenin më të vizitueshëm dhe më të jetueshëm për qytetin. Ky është një projekt për 200 mijë fëmijët e Tiranës, jo për 20 këshilltarë të partisë që e kishte Tiranën për 4 vjet dhe nuk e bëri dot. U kërkoj të gjithë qytetarëve që të na mbështesin. Siç kemi bërë në zonat pedonale, në projektet e adoptimit të çerdheve, në projektet e mbjelljeve masive të pemëve tek liqeni, edhe ky është një projekt i dobishëm për qytetin. Ne deklaruam master-planin e parkut të liqenit i cili parashikon 10 ndërhyrje, për të krijuar 10 hapësira të këndshme për qytetarët”, tha Veliaj.

Lidhur me  zërat se bashkia po pret pemët tek liqeni, kryebashkiaku ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për asnjë betonizimin të parkut, por për një projekt të mirëstudiuar, ku vetëm 3 pemë do të zhvendosen, ndërsa do të mbillen edhe 3000 të reja. “Ne do të zhvendosim disa pemë, kemi sot edhe një teknologji, e cila i zhvendos pemët. Për pemët që janë të sëmura, që pasi certifikohen si pemë që janë të rrezikshme, pra kanë një kënd më të ulët se 45 gradë e që mund t’i bjerë dikujt, ka një procedurë sipas së cilës inspektorët tanë të pyjeve vlerësojnë nëse ajo pemë mund të qëndrojë.

Ato pemë hiqen me kujdes, kur janë të rrezikshme dhe të tilla ka nëpër të gjitha rrugët e Tiranës, ku ne kujdesemi që të krasiten apo të mos kemi dëmtime të kësaj natyre. Do të zhvendosim tre pemë dhe do të mbjellim 3000 pemë. Siç keni parë, edhe në hapësirën që u lirua tek ana tjetër e liqenit, ne patëm një mbjellje të pemëve në atë zone”, deklaroi Veliaj.

 

Pin It