8 Mars, “Jo mëshirë, fisnikëri!”

12784790_535273769980424_1996014213_n

Nga Vora drejt Tiranës, çdo mëngjes herët ajo zonjë fisnike në thjeshtësinë e saj, paraqitet në vendin e saj të punës. Nuk ka mure, tavolinë apo karrige… mjafton muri i betontë, qielli, qeset me erëza e gjethe dafine, trotuari dhe entuziazmi e qetësia besimplotë që dita të jetë me bereqet. Fillon duke pëshpëritur “Bismilah”, dhe kur kjo fjalë magjike që i’a ka mësuar gjyshja e vet qëmoti, i’a sjell mbarësinë që pret, ndahet me blerësin duke i thënë “Hallall të qoftë” dhe siguron mirë paratë e fituara, rriskun që presin fëmijët kur t’i takojë në fund të ditës. Por sot qëlloi të binte shi…

Gjethet e dafinës qëndronin në palë njëra mbi tjetrën, shtrënguar në qesen që ndoshta dikur kishte ruajtur kokrra sheqeri. Dukej qartë që ishin vendosur nga  një dorë meraklie, që i vlerësonte mirë ato dhe i ruante nga pikat e shiut që zhurmonin sot rrugët e lagura. Nën strehën e furrës së bukës, pranë stacionit të autobusit të unazës, ajo ishte ulur njëanshëm, dhe ekspozonte për kalimtarët pasurinë e saj modeste por aq të madhe, pasuri jete, pasuri përpjekjesh të ditëpasditëshme…

Kishte humbur në brendësi të veshjes që i rrinte e gjerë dhe dukej sikur e mbronte mirë nga lagështia  e këtij shkurti të ftohtë, por nuk ishte ashtu…ishte nje mushama e hollë, e dalë boje nga rrezet e diellit, sepse kur nuk bie shi ajo nuk ka strehë tjetër veç qiellit.

Fjalëpak, imëcake, por çuditërisht e qeshur. Sytë e saj ngjyrë blu shndritëse ishin dielli i kësaj dite të vranët. Ai vështrim i pastër e i gjallë bënte kontrast me rrudhat që i’a fshihnin rininë. Nuk e ngre zërin për të bërë të ditur se çfarë kërkon nga kalimtarët, thjeshtësia e saj mjafton. Prej së largu arrin të dallosh mbi bordurën prej betoni të ftohtë trupin e saj të vogël, mbështjellë përulshëm dhe duart e lodhura që përkujdesen për ta ruajtur mirë pasurinë e saj modeste, herë duke i pastruar nga pluhuri i rrugës, herë duke ndryshuar radhën e vendosjes,  si e si të duken më qartë, e të tërheqin vështrimin e zonjave nikoqire.

Sa shumë jetë kishin ata sy, dukej e palodhur për të shpresuar. Ajo i njeh mirë tekat e motit dhe ndoshta ishte duke u thënë të gjithë kalimtarëve të përhumbur në botën e tyre kushedi sa planëshe, të vrenjtur më shumë se qielli i sotëm, se dielli do të lindë sërish, prandaj shpresoni e buzëqeshni.

Binte shumë shi sot, qielli ishtë i rënduar, por jo më shumë se jeta e njerëzve të këtij qyteti. Në anë të furrës së bukës qëndron në pritje një shpirt i madh, i kënaqur me atë që ka, shpresëgjallë.

Ju lutem blini disa gjethe dafine të shëroni plagët, të zgjoheni nga gjumi dhe të shijoni ushqimin të zbukuruar me esencën e thjeshtësisë, përkushtimit dhe dashurisë për të mirën.

Tek stacioni i trenit, pranë furrës së bukës, aty ku ndal urbani i unazës dhe qindra shkëmbehen me njëri tjetrin, gjyshja me sytë më të bukur por fjalëpak nuk pret mëshirën e askujt, kërkon vetëm të ndaleni tek ajo për të shkëmbyer paratë tuaja dritëshkurtra me gjethet e dafinës, që të shijoni një vakt më të shijshëm.

Dhe dita mbyllet me urimin: “Hallall ju qoftë”, lidh me radhë qeset që mbrojnë pasurinë e saj  të madhe, i vendos me radhë në çantën e vjetëruar, shtrëngon lidhëset e këpucëve shollëgrisur dhe mundohet të drejtojë trupin e mpirë… por këtë nuk e arrin dot. Trupi i saj ka marrë formën e përulësisë dhe thjeshtësisë së pazakontë në këtë kohë vrapi jomendimtar. Largohet qetësisht dhe zemërlumtur. Nesër do të vijë përsëri sepse për të puna është dinjitet dhe sytë e saj të vegjël ngjyrë blu shohin përtej ngopjes së kësaj bote.

Borana Belegu

Pin It