80 certifikata për mjeshtra në gur, dru dhe metal

80 mjeshtra dhe ndihmësmjeshtra në punimet e gurit, drurit, metalit dhe suvasë në ndërtesa historike, pjesë e projektit “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes”, u certifikuan në ambientet e Akademisë së Arteve në kryeqytet.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtorja ekzekutive e CHwB Albania, Lejla Hadzic, përfaqësues të drejtorive rajonale kombëtare, etj.

Gjirokastra, Berati dhe Korça kanë tashmë 80 mjeshtra dhe ndihmësmjeshtra të certifikuar, për punimet e gurit, drurit, metalit dhe suvasë në ndërtesa historike, falë projektit “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes”, nga Chwb Albania.

Për herë të parë në 3 dekada, specialistët e vjetër të restaurimeve patën mundësinë të trajnojnë në teori dhe praktikë gjeneratën e re të mjeshtrave.

Duke vlerësuar këtë nismë tepër inkurajuese, e cila ka bërë bashkë institucione të ndryshme, specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare (Berat, Korçë, Gjirokastër), dhanë kontributin e tyre, duke u bërë pjesë e mësimdhënies, me qëllim njohjen e pjesëmarrësve me tema teorike të konservimit, tipologjive të ndërtesave, dokumentimit, materialeve dhe teknikave për restaurim.

Projekti “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” ka për qëllim ruajtjen e teknikave tradicionale, kualifikimin e personave që operojnë në këtë fushë, rritjen e cilësisë së punimeve (sipas standardeve të restaurimit dhe konservimit) si dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe emigrantët që vendosin të kthehen për të punuar dhe jetuar në Shqipëri.

Projekti “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” është financuar nga GIZ dhe SIDA, dhe i hap rrugë zbatimit të kursit profesional 6-mujor “Mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale në ndërtim”.

Ky projekt tregon se trashëgimia kulturore kombinon të drejtën për kulturë dhe të drejtën për zhvillim, përçimin e dijeve nga mjeshtrat e vjetër tek ata të rinj që punojnë në këto site të trashëgimisë./ATA/

 

Pin It