94 vjet nga lindja e gjeniut të skenës, aktorit të madh Kadri Roshi

 

“Unë jam shqiptar. Jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët tek koka dhe për këtë krenohem”, thoshte aktori i madh Kadri Roshi.

Dita e sotme, shënon 94 -vjetorin e lindjes së Kadri Roshit, një prej kolosëve të filmit dhe teatrit shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

Me një postim në rrjetin social Facebook, Ministria e Kulturës përkujton me nderim “Artistin e Popullit”, që jetoi me skenën dhe kinemanë dhe na solli një portret që mbeti i dashur në celuloid, me qindra role dhe personazhe duke na dhuruar Artin e bukur të fjalës.

“Përkujtojmë sot me respekt dhe nderim 94-vjetorin e lindjes së aktorit Kadri Roshi, “Artist i Popullit”, Ezopi shqiptar, apo “Patriarku i fjalës së kënduar shqipe” si e ka cilësuar poeti Dritëro Agolli- Fjala në gojën e tij sjell tingullin e zileve të këmboreve të Malit të Nemërçkës, Malit të Gjerë, të këngës polifonike, apo rrjedhës së lumenjve. Jo vetëm aktor brilant, por edhe një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë, apo ekonomisë botërore. Këto njohuri i konsideronte të domosdoshme në interpretimin e roleve të veta. Pasionant i duhanit dhe peshkimit. Besonte se për të qenë i suksesshëm duhej më shumë punë dhe pak talent. U nda nga jeta me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar me skenën”, shkruhet në postim.

“Të gjitha rolet që nuk i kam luajtur i kam pengje. Kështu e ka jeta e aktorit”, shprehej Roshi, i cili mbeti i dashuruar me vendin e tij.

Kadri Roshi lindi më 4 Janar te vitit 1924, në Ballsh të Mallakastrës, i mbetur jetim në një moshë të vogël, ai endet për të siguruar jetesën duke punuar si punëtor mirëmbajtje, biletashitës në kinema dhe punë të tjera të ndryshme.

Emri i tij mungoi dy herë radhazi në listën e fituesve për aktor, dy konkurrime në të cilat ai u përplas me disfatat e para.
Në rolin e Osipit tek “Revizori” i Gogolit Kadri Roshi pati një sukses të jashtëzakonshëm, me këtë shfaqje e gjithë trupa e aktorëve amatorë u pranuan si aktorë në Teatrin Popullor.

Filloi studimet si aktor në Zagreb të Kroacisë , por menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Kadri Roshi,vazhdon dhe përfundon studimet në 1950 në Pragë të Çekisë, me rezultat të ”Shkëlqyer”.

Në karrierën e tij të gjatë që fillon nga viti 1945, numërohen rreth 170 role, prej të cilave 130 janë role kryesore, që do të bënin të ndihej krenar këdo prej aktorëve të skenës dhe ekranit shqiptar. Në vitin 1961, Kadri Roshi u nderua me titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1969, me çmimin e madh “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995, në festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar, mori çmimin e “Karrierës”. Nga Presidenti i Republikës në vitin 1998 iu akordua titulli “Nderi i Kombit”.
Rolet e tij si në teatër dhe kinematografi kanë lënë mbresa te artdashësit. Me rreth 215 role Kadriu Roshi do të mbahet mend në: “Tana”, “Furtuna“,“Skënderbeu“, “Hamleti“,“Oret e e Kremlinit“,“I çuditshmi“,“Familja e Peshkatarit“, “Zonja e Bujtines“, “Arturo Ui“, “Fytyra e dytë“, “I teti në Bronx“, “Besa e Madhe“, “Hijet e natës“ , “Malet me blerim mbuluar“, “Fijet që priten“, “Apasionata“, “Njeriu me top“, “Epoka para gjyqit“,“Lulekuqet mbi mure“, “Lidhur si fishkë gjerdani“,“Tokë e ndezur”,”Shkallet“,“Kolonel Bunker“ si dhe “Kohë e çmendur“ në rolin e Xha Fiqos, i cili do të ishte dhe roli i tij i fundit.

Roshi u nda nga jeta në 6 shkurt 2010./ATA/

Pin It