Jo vetëm pastërti shpirtërore, por edhe pastërti fizike

Profeti (a.s.) i kushtonte shumë rëndësi pastërtisë. Ai vazhdimisht i lante duart para dhe pas ushqimit. Kur zgjohej nga gjumi, nuk hante dhe nuk pinte asgjë, pa larë më parë duart.

Puna e parë që bënte, kur ngrihej për namazit e natës dhe të sabahut, ishte larja e dhëmbëve me misvak. Edhe në momentin e fundit të jetës u kishte kërkuar shokëve që e rrethonin një misvak për të pastruar dhëmbët.

Ai i kushtonte shumë kujdes pastërtisë së zemrës, po aq i kujdesshëm tregohej edhe ndaj pastërtisë së trupit dhe rrobave. Kishte raste kur vishte edhe rroba të vjetra, por asnjëherë nuk dilte me rroba të grisura apo të ndotura. E sidomos kur priste ndonjë mik, i kushtonte rrobave që vishte edhe më tepër kujdes.

Ai i mbulonte enët apo ushqimet që t’i ruante nga ndotja e ambientit. Urdhëronte mbajtjen pastër të rrugëve apo të vendeve të ndryshme ku njerëzit uleshin për të pushuar, si vendet përreth pemëve etj.

Profeti (a.s.) dëshironte që brenda mundësive çdo mysliman të vishej mirë, dhe t’i kushtonte rëndësi pamjes së tij. Shpesh ai i tërhiqte vërejtjen në mënyrë të kujdesshme çdo personi të papastër duke i thënë: Përse nuk i pastron rrobat?! Një herë kishte parë një mysliman me flokë të pakrehura dhe e kishte pyetur se përse nuk i lante dhe nuk i krihte flokët?!

Pin It