“A vdiq ai?”, drama e artistit të pavlerësuar sa është gjallë

Komedia e Mark Twain “A vdiq ai?” erdhi premierë gjatë kësaj fundjave për publikun kryeqytetas në skenën e Teatrit Kombëtar .

Nën regjinë e Andis Gjonit kjo komedi intriguese dhe plot humor solli një mesazh kuptimplotë dhe aktual për publikun pasi trajtoi temën e vuajtjeve e sakrificat e artistëve që i kanë kushtuar jetën artit dhe të një shoqërie që i jep para dhe famë vetëm pas vdekjes së tyre.

Komedia erdhi nën interpretimin e aktorëve Donald Shehu, Gentian Zenelaj, Cubi Metka, Roland Saro, Suela Konjari, Erblin Bajko, Albi Dhima, Sokol Angjeli, Erjon Hodo, Algiona Aga, Margent Caushi, Brunilda Borova.

“A vdiq ai” është vepra që tregon dhimbjen e artistit të vërtetë në përçmimin që ai merr në përditshmërinë e tij, nga antivlerat që e rrethojnë. Ka humor, ka situata ka etyde të cilat i japin veprës ngjyra e dinamikë.

Një grup piktorësh të mbytur në borxhe që dalin nga varfëria duke u shtirur sikur njëri prej tyre vdes, dhe veprat e tij artistike nga një vlerë shumë e ulët që shiteshin arrijnë në vlera ekstreme, japin një mesazh mjaft domethënës për hipokrizinë në masë që rrethon shoqërinë e cila duket se ka ngelur në shekullin 19.

Ata marrin vlerësime vetëm pasi janë larguar nga jeta dhe kjo është edhe ajo pjesa e humorit. Është kritika që Twain i bën shoqërisë, e cila nuk i vlerëson artistët për sa kohë që i ka, por i vlerëson vetëm pas vdekjes./ATA/

Pin It