Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval

Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Ai që e agjëron Ramazanin dhe agjëron gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.

Pas një muaji agjërim, për besimtarin është disi e huaj përshtatja me regjimin e ri. Madje, kur je duke ngrënë apo duke pirë diçka, për një çast të duket sikur po prish agjërimin.

Ky lloj ngurrimi për gabimin e bërë pa dashje kalon sapo të na bjerë ndërmend se nuk jemi më me agjërim.

Atmosfera e një muaji të tërë, kaq harmonik dhe të veçantë, nuk mund të ndërpritet menjëherë. Pas ditëve të gëzueshme të Bajramit, pas vizitave dhe dhuratave të shumta, është e pëlqyeshme që të agjërohet dhe për gjashtë ditë të tjera brenda muajit Sheval. Mund të agjërohet në ditë të njëpasnjëshme ose të veçuara. Secili zgjedh atë mënyrë që është më e përshtatshme për të.

E rëndësishme është që këto ditë të plotësohen brenda afatit. Kjo është një tjetër përpjekje e besimtarit, si shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit dhe argument për dashurinë dhe bindjen ndaj Tij.

/Drita Islame/

Pin It