Nëntë pyetjet që na bëhen gjatë Ramazanit

  1. Pse agjërohet?

Agjërimi është urdhër i Allahut dhe një prej pesë shtyllave të Islamit, kështu që  qëllimi kryesor i agjërimit është arritja e shkallëve më të larta të devotshmërisë. Agjërimi gjithashtu na ndihmon ta pastrojmë sa më shumë veten nga kryeneçësia dhe nga çdo lloj vesi tjetër. Këtë e vërteton edhe hadithi i Profetit (a.s):“Agjërimi është mburojë”. Agjërimi është gjithashtu një mundësi ndryshimi dhe mundësie për t’ia filluar nga e para “Kushdo që e kalon Ramazanin me besim të plotë dhe vetëkorrigjim, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme”.

  1. Përveç pijeve gjatë agjërimit nuk mund të konsumohet as cigare apo çamçakëz?

“Po, nuk pihet as ujë, as kafe, sigurisht edhe duhanpirësit më të mëdhenj gjatë agjërimit eliminojnë vesin e tyre. Kjo pasi agjërimi përfshin çdo lloj ushqimi apo pije.

  1. A është vështir të agjërosh? A është vështirë të shohësh të tjerët duke ngrënë?

Agjërimi nuk është vetëm largim nga të ngrënët e të pirët. Të agjërosh do të thotë që në të njëjtën kohë të largohesh nga mëkatet. “Kur të agjërosh, le të agjërojë së bashku me ty, dëgjimi yt, shikimi yt dhe gjuha jote, pra largohu nga gënjeshtra dhe mëkatet.” shprehet një shokëve të Profetit (a.s). Në këtë aspekt është vështirë të agjërosh. Përsa i përket urisë apo etjes, besimtarit i mjafton të mendojë shpërblimin tek Zoti dhe kënaqësinë e Tij.

  1. Në mbrëmje zgjoheni për të ngrënë ushqim, a nuk mund të hani para se të flini dhe të mos zgjoheni në Syfyr?

Përveçse një nevojë trupore, syfyri është një traditë profetike si dhe prej rregullave të agjërimit. Rëndësinë e tij e tregon  vetë i Dërguari i Allahut kur thotë: “Me të vërtetë që Allahu dhe engjëjt zbresin mëshirë mbi atë që ha syfyr”. Mbi të gjitha nëse nuk do të zgjoheshim për syfyr por do të konsumonim ushqim përpara se të flemë, do të ishte një torturë e vërtete për trupin e bie ndesh me ajetin Kur’anor ” “All-llahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të tij” (Bekare, 286).

  1. Çfarë konsumoni në Iftar dhe a ju vijnë miq?

Për iftar konsumohen të njëjtat ushqime që mund të konsumoheshin në një darkë të zakonshme. Miqtë sigurisht  janë të mirëseardhur ndërsa vlera e përgatitjes së Iftarit nga ai që ofron Iftar është shumë e madhe. I dërguari I Allahut (a.s), ka thënë: ‘Kush përgatit Iftar për agjërues do të ketë të njëjtin shpërblim si agjëruesi dhe as agjëruesit nuk do t’i reduktohet shpërblimi i tij’.

  1. Kush duhet të agjërojë?

Për të agjëruar duhet të plotësohen këto kushte:

-Të jesh mysliman

-Të jesh në moshë madhore

-Të jesh i arsyeshëm

-Të jesh i shëndetshëm

-Të mos jesh udhëtar

  1. Kush ka të drejtë të mos agjëroj?
  • I sëmuri
  • Udhëtari
  • I moshuari apo e moshuara që nuk janë në gjendje të agjërojnë (për çdo ditë të humbur domosdoshmërish duhet ushqyer një i varfër)
  • I sëmuri, i cili ka një sëmundje të pa shërueshme.
  • Shtatzënat dhe gratë që japin gji fëmijëve
  1. A ndihmohen të varfrit gjatë Ramazanit dhe si?

Po. Sadekatu’l-Fitr është obligim material me të cilin Islami i inkurajon myslimanët të kujdesen për të varfrit. Çdo mysliman në fund të Ramazanit është i detyruar të ndajë (përafërsisht 3 kg) ushqim për të varfrit, në mënyrë që edhe ata pas një muaj agjërim së bashku me të pasurit të gëzohen gjatë festës së Bajramit”.

 

Pin It