Përkushtimi në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit

Aishja r.a. ka thënë: “Kur vinte dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit, Profeti a.s. e gjallëronte natën, zgjonte pjesëtarët e familjes, ishte më i përkushtuar dhe shtrëngonte rrobën” . Në një transmetim tjetër thuhet: “Në dhjetëditëshin e fundit Profeti a.s. përkushtohej më shumë seç ishte përkushtuar më parë” .
Shpjegimi i hadithit:
Ky hadith tregon se dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit dallohet nga ditët e tjera për shkak të përkushtimit më të madh duke falur sa më shumë namaz, duke bërë sa më shumë dhikr dhe duke lexuar sa më shumë Kur’an.
Nëna e besimtarëve, Aishja r.a., na e ka përshkruar adhurimin e Profetit a.s. në këtë dhjetëshitësh me katër cilësi:
Cilësia e parë: E gjallëronte natën, që do të thotë se tërë natën e kalonte në adhurim, rrinte zgjuar dhe nuk flinte, sepse gjumi është gjysmë vdekje. E gjallëronte natën duke u falur dhe duke adhuruar Allahun, Zotin e botëve. Në një hadith të transmetuar nga Abdullah bin Amër lexojmë se nuk është e lejushme që myslimani ta gdhijë tërë natën duke u falur . Ky hadith nuk bie në kundërshtim me hadithin e Aishes, sepse qëllimi i këtij hadithi është për atë njeri që falet vazhdimisht përgjatë gjithë vitit.
Cilësia e dytë: Zgjonte pjesëtarët e familjes, që edhe ata të përfitonin nga mirësia e dhikrit dhe adhurimit në këtë kohë të begatë.
Cilësia e tretë: Ishte më i përkushtuar, që do të thotë se, në këtë dhjetëditësh, ai ishte më i përkushtuar se në dy dhjetëditëshat e parë. Arsyeja pse ai ishte më i përkushtuar, sepse në këtë dhjetëditësh është nata e Kadrit.
Cilësia e katërt: Shtrëngonte rrobën, që nënkupton përkushtim më të madh në adhurim. Një kuptim tjetër është se ai largohej nga gratë. Ky kuptim është më i përafërt, sepse Enesi r.a. ka thënë: “E paloste dyshekun dhe largohej nga gratë”. Dihet se në këtë dhjetësitësh Profeti a.s. hynte në Itikaf, ndërkohë që ai që është në itikaf e ka të ndaluar t’i afrohet grave.

Burimi: Drita Islame

Pin It